Reduktime të ujit në Prishtinë, Mjeku flet për RTV21
Sot do të ketë reduktime të furnizimit me ujë në disa zona të Prishtinës. Kështu ka informuar për RTV21 zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a., Arjeta Mjeku, e cila ka bërë të ditur se si pasojë e amortizimit të linjave, janë të detyruar të ndërprejnë furnizimin me ujë për t’i hapur rrugë ndërhyrjes së ekipeve të mirëmbajtjes.
Sipas Mjekut, punimet do të zhvillohen në linjën DN 300 mm material AC, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë.
“Pa furnizim me ujë të pijshëm, gjatë ditës do mbesin këto zona: lagjja “Pejton”, lagjja “Dardania” pjesërisht, një pjesë në lagjen ” te Qafa”, pjesë e objekteve banesore poshtë rrugës “Ahmet Krasniqi” në lagjen “Arbëri” një pjesë e lagjes “Lakrishte” dhe një pjesë e vogël e lagjes “Kalabria” në rr. “Tahir Zajmi”, në Prishtinë.”, ka informuar Mjeku.
Sipas zëdhënëses së KRU Prishtina, punimet nga ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë kanë filluar në mëngjesin e ditës së sotme, sepse sipas saj, janë dy ndërhyrje që po realizohen, njëra afër Pallatit të Rinisë dhe tjetra brenda oborrit të objektit ish-Rlindja./21Media