Kisha Ortodokse e Ukrainës ndërpret lidhjet me Patriarkun e Moskës

Një degë e kishës ortodokse të Ukrainës ka prishur lidhjet me patriarkun rus Kirill për mbështetjen që ky i fundit shfaqi për luftën në Ukrainë, duke thelluar një përçarje midis kishës së Moskës dhe besimtarëve të tjerë ortodoksë.
Udhëheqësit e Kishës Ortodokse të Ukrainës (UOC), e cila kishte qenë zyrtarisht në varësi të Patriarkanës së Moskës të Kishës Ortodokse Ruse, mbajtën një këshill të premten në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Në një deklaratë, këshilli tha se “dënon luftën si shkelje të urdhrit të Zotit “Mos vrisni!”” dhe u kërkoi qeverive të Ukrainës dhe Rusisë që të ndjekin një rrugë negocimi, përcjell portali rtv21.tv
Por këshilli gjithashtu pati kritika për Patriarkun Kirill,  i cili ka dhënë mbështetjen e tij për pushtimin e Ukrainës dhe e ka vënë kishën e tij pas Presidentit rus Vladimir Putin.
Një pjesë e madhe e komunitetit ortodoks në Ukrainë tashmë ka bërë hapa për të krijuar pavarësinë nga Moska. Kjo lëvizje mori një vrull të mëtejshëm në vitin 2018, pasi Patriarku Bartolomeu I i Konstandinopojës, një klerik grek që konsiderohet lideri shpirtëror i besimtarëve ortodoksë në mbarë botën, miratoi themelimin e një kishe ortodokse të pavarur të Ukrainës.
Kisha Ortodokse Ruse dhe Patriarkana e Moskës, e cila është lidhur ngushtë me shtetin rus nën sundimin e Putinit, u përgjigjën duke ndërprerë lidhjet me Bartolomeun.
Shfaqja e një kishe të pavarur nga Moska ka zemëruar Putinin, i cili e ka bërë restaurimin e të ashtuquajturës “botë ruse” në qendër të politikës së tij të jashtme dhe e ka hedhur poshtë identitetin kombëtar ukrainas si të paligjshëm.
Deklarata e këshillit të UOC të premten tha se lufta kishte qenë shkatërruese për anëtarët e kishës.
“Gjatë tre muajve të luftës, më shumë se 6 milionë qytetarë të Ukrainës u detyruan të largoheshin nga vendi. Këta ishin kryesisht ukrainas nga rajonet jugore, lindore dhe qendrore të Ukrainës. Shumica e tyre janë fëmijë besnikë të Ukrainës. Kisha Ortodokse”, thuhet në deklaratë. “Është e nevojshme të zhvillohet më tej misioni jashtë vendit midis ukrainasve ortodoksë për të ruajtur besimin, kulturën, gjuhën dhe identitetin e tyre ortodoks.”/21Media

Back to top button