Kurti në Slloveni: Respekti ndaj minoriteteve dhe njohja reciproke parakushte për anëtarësim në BE

(Lajm i përditësuar)


Kurti në Slloveni: Respekti ndaj minoriteteve dhe njohja reciproke parakushte për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin  Kurti ka thënë se respekti ndaj minoriteteve dhe njohja reciproke parakushte për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai këto komente i ka bërë në Forumin e Bledit

”Mesazhe inkurajuese nga Kryeministri i Sllovenisë Robert Golob mbi zgjerimin e BE-së dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor Unë i bëra jehonë thirrjes për një qasje të bazuar në vlera ndaj anëtarësimit në BE, të fokusuar në respektimin e pakicave dhe me njohjen reciproke si parakusht”, ka shkruar Kurti, në X ish  Twitter të dielën.


Pas anulimit të mbledhjes së qeverive Rama dhe Kurti takohen për herë të parë Slloveni

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka postuar fotografi nga Forumi Strategjik i Bledit.

Në këtë forum po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri shqiptar ka postuar një fotografi duke u përshendetur me Kurtin, teksa aty shihet edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Ky është takimi i parë mes Kurtit dhe Ramës që kur kryeministri shqiptar anuloi mbledhjen në mes dy qeverive për shkak të zhvillimeve në Veri të Kosovës.

”Lubjanë, Slloveni – Në darkën e mikëpritjes së Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, e me kolegët e rajonit në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit nesër“, ka shkruar Rama.


Kurti në Slloveni flet me Abazoviqin dhe Ramën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.

Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë, është parë teksa bisedon me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, kjo pasi janë ulur afër njëri-tjetrit.

Kurti ka udhëtuar sot për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ku nesër do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale.


Osmani në Slloveni: Integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në Forumin Evropian Alpbach ka diskutuar mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian me vende demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtjen e parimeve të të drejtave të njeriut, sundimit të ligji dhe luftimin e autokracive.

Ajo ka shhtuar se këto tipare e bëjnë Evropën të guximshme, derisa shtoi se integrimi evropian është rruga e vetme për Kosovën.

“Kjo është tema e sivjetme e Forumit Evropian Alpbach, ku kisha nderin të diskutoj në panelin kryesor, së bashku më përfaqësues të shteteve të tjera. Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme. Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën”, ka shkruar Osmani në Facebook.


Osmani në Austri, Kurti në Slloveni

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të qëndrojnë jashtë shtetit ditët e ardhshme pasi do të marrin pjesë në forume në dy vende të ndryshme.

Presidenca ka njoftuar se Osmani ka udhëtuar për në Alpbach të Austrisë për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Evropian Alpbach 2023.

Në këtë forum, Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor në hapje të forumit, i cili do të fokusohet në rishikimin e politikës aktuale të zgjerimit, adresimit të sfidave aktuale politike dhe të sigurisë, si dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Sipas njoftimit, Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej.

Forumi Evropian Alpbach është ndër institucionet më prestigjioze në Evropë, i cili nga viti 1945, mbledhë çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar idetë për një Evropë më të fortë dhe më demokratike.


Kurti udhëton për në Slloveni, merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, kështu ka njoftuar zyra e kryeministrit.

“Në kuadër të pjesëmarrjes së tij në këtë forum, ai sonte do të marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob, ndërkaq të hënën do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë./21Media

Back to top button