Klinika e Onkologjisë me aparaturë të re të Tomografisë së Kompjuterizuar

Klinika e Onkologjisë, Reparti i Radioterapisë është pajisur me aparaturë të re të Tomografisë së Kompjuterizuar për simulimin e pacientëve (CT simulator).
Pas mbarimit të procedurave të instalimit dhe kalibrimit, tashmë klinika posedon CT -simulator modern, i cili ofron kualitet të lartë për identifikimin e zonave me interes. Në veçanti i identifikon dhe korigjon imazhet në të cilat gjenden trupat e huaj, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës(ShSKUK).
Tutje në njoftim bëhet e ditur se sipas planit të paraparë nga operatori, stafi duhet të trajnohet për 4 ditë, në datat e rezervuara nga ekspertët e fushës për shkak të kalendarit të planifikimit.
Klinika ka vendosur që trajnimi të mbahet në vetëm 2 ditë, me qëllim që numri i ditëve gjatë të cilave Reparti i Radioterapisë nuk do të ofrojë shërbime për pacientët të jetë sa më i shkurtë. “Andaj, gjatë kohës së trajnimit me 20 e 21 dhjetor 2022( e martë dhe e merkurë), në dy orare të paradites dhe pasditës nuk do të punohet me pacientë në Radioterapi. Pacientët janë njoftuar lidhur me këtë”, ka njoftuar ShSKUK.
Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës thonë se kjo po bëhet me qëllimin e vetëm që kualiteti i shërbimeve në klinikë të rritet në vazhdimësi, duke e pasur përherë në prioritet shëndetin e pacientëve tanë./21Media

Back to top button