KMDLNj dënon djegien e shtëpisë së një serbi që u kthye në Istog: Qeveria të riparojë dëmet

Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeritu (KMDLNj), ka reaguar për vënien në flakë të një shtëpi në Istog, e cila i takonte një serbi që kishte vendosur të kthehej për të jetuar aty.
“Zjarrvënia duket të jetë e qëllimshme për të penguar kthimin e një personi të zhvendosur në pronën e vet e që është e drejtë e patjetërsueshme e disponimit të pronës dhe e drejtë elementare e njeriut për t’u kthyer në këtë pronë”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj tha se që nga përfundimi i luftës është angazhuar që personat e zhvendosur të kthehen në pronën e tyre, pavarësisht përkatësisë etnike, moshës, gjinisë, bindjeve politike apo statusit në shoqëri.
“Zjarrvënien në shtëpi të një të zhvendosuri të përkatësisë serbe në Istog, KMDLNj e konsideron si një veprim flagrant kundër të drejtave të njeriut dhe dhunim të pronës dhe, si të tillë e dënon duke kërkuar hetime të shpejta, të pandikuara, profesionale dhe të pavarura, për çka Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme ta zgjidhë edhe këtë rast dhe përgjegjësit t’i sjellë para organeve të drejtësisë”.
KMDLNj po ashtu tha se kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndajë mjete të nevojshme financiare për riparimin e shtëpisë së dëmtuar, në mënyrë që të krijohen kushtet fizike për kthim të personit të zhvendosur, “të cilit gjithashtu do t’i garantohej edhe siguria”.
“KMDLNj e thekson se përgjegjësia për sigurinë dhe integrimin e personave të zhvendosur e që kanë vendosur të kthehen në pronat e tyre i takon palës pranuese që përbënë shumicën absolute të banorëve në mjedisin ku jetojnë, pra shumicës shqiptare. KMDLNj shpreson se rasti do të zbardhet shpejtë dhe se ky rast do të mbetet si rast i izoluar i cili nuk duhet të frikësojë dhe pengojë kthimin e personave të zhvendosur”, përfundon komunikata. /21Media
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?