Qeveria miraton projektligjin e ri për KPK-në

(lajm i përditësuar)
Qeveria miraton projektligjin e ri për KPK-në
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pasi ai i pari u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese.
“Ky projektligj parasheh reformë në KPK, synon eliminimin e grupeve të interesit dhe korporatizimit brenda KPK-së, eliminimin e ndikimeve politike dhe përmbushjen e mandatit kushtetues të KPK-së”, tha kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes.
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky projektligj parasheh që anëtarë të përhershëm të Këshillit të jenë 7 prokurorë, tre prej tyre që do të zgjedhen nga Kuvendi.
“Tre të tjerë do të jenë 3 joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, ndërsa një vend i takon Prokurorit të Shtetit. Këta do të jenë anëtarë të përhershëm”, tha ajo.
Kushtetuesja e pati shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së.
Kurti jep detaje për marrëveshjen për depërshkallëzimin e situatës në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për marrëveshjen për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Ndërkohë vuri në pah nevojën për largim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Kurti në adresimin e tij para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, tha se përmes dakordimit të së hënës në Bratislavë, 25 përqind e prezencës policore në dhe rreth objekteve komunale në veri do të zhvendosen diku tjetër ku kanë nevojë, po në ato komuna.
Kjo sipas tij po ndodh pasi në dy javët e fundit situata në komunën e Zvecanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit ka qenë shumë më e qetë.
Ndërkaq, theksoi nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.
“Zëvendëskryeministri Bislimi ka arritur një dakordim me emisarin e Bashkimit Evropian Lajçak për këto pika. E para, Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për tё kontribuar nё deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e hapave qё mund tё eskalojnё situatën nё veriun e vendit. Kjo nënkupton edhe reduktimin e menjëhershëm të një të katërtës të policëve që janë brenda ndërtesave apo në afërsi të tyre. Pra 25% tё prezencës policore do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta, pasi konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë. E dyta, Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, nё veçanti për tё shikuar mundësinë pёr zvogëlim tё mëtejmë tё prezencës policore nё dhe rreth ndërtesave komunale. Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi, duke qenë se sundimin e ligjit dhe qetësinë e sigurinë i shohim si interes të përbashkët të të gjitha palëve”, tha ai.
Po ashtu, Kurti nënvizoi se mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, por sipas legjislacionit në fuqi dhe pas stinës së verës.
“Qeveria e Kosovës përmes njё deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinës sё verës dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Ne me këtë rast kemi pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve. Për ne vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Republikës të kenë përfaqësim lokal për t’i përfaqësuar siç duhet. Por për të arritur këtë gjë duhet të krijohet ambienti i cili mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale dhe që garanton paprekshmërinë e votës. Në këtë kontekst duhet të kuptohet rëndësia që qeveria i jep sundimit të ligjit në secilën pjesë të vendit. Nuk mund të bëjmë kompromis me sundimin e ligjit, pasi ajo do të cenonte demokracinë. E katërta ka të bëjë me ftesën që BE-ja do të dërgojë për të dy kryenegociatorët. Këta do të ftohen në Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit, apo tabelën e implementimit pёr Marrёveshjen drejt normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrëveshjes”, shtoi Kurti.
Krahas këtyre, Kurti vuri në pah nevojën për largim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Pasi sipas tij, dy palët duhet të negociojnë mbi bazën e pozicioneve të barabarta.
Ai po ashtu theksoi se për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, dy palët duhet të pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme.
“Për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike së pari të dy palët duhet të pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë e cila nuk ka ndodhur ende nga pala serbe. Së dyti, marrëveshja duhet të zbatohen në plotëni, kjo nuk është e qartë për njërën nga palët. Së treti, zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet dhe së katërti që të dy palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta. Kjo është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e BE-së. Dakordimi i Bratislavës do të ndihmojë shumë në përqendrimin e fokusit në vendosjen e barazisë midis palëve që ndihmon zbatimin e marrëveshjes bazike”, përfundoi Kurti. /kp
Kurti pret që BE-ja t’i heq sanksionet, pas marrëveshjes për shtensionim
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pret që Kosovës t’i hiqen sanksionet nga BE-ja dhe të trajtohet si palë e barabartë në dialog, pas marrëveshjes së arritur në Bratisllavë për shtenisonim të situatës në veri.
Kurti tha se është Serbia ajo që s’e ka pranuar që ka marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën dhe se BE-ja nuk i ka trajtuar si të barabarta palët kur sanksionoi Kosovën.
Kurti gjatë mbledhjes lexoi pikat e marrëveshjes, të cilat përfshijnë zvogëlimin e pranisë të Policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale në veri, vlerësimin e gjendjes së sigurisë, zgjedhje të reja në katër komunat veriure dhe takim të ri në dialog,
“Unë kam nënvizuar në vazhdimësi që për suksesin e marrëveshjes bazike së pari të dy palët duhet ta pranojë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni, së treti, që zbatimi i marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet dhe së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë që të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Më tej, kreu i qeverisë tha se dakordimi që ndodhi në Bratisllavë do të ndihmojë në vendosjen e barazisë midis palëve, që sipas tij, ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj. /21Media
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?