KMDLNj: Kërcënimi i qeverisë për ndalje të pagave, shkelje e të drejtave të njeriut!

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut (KMDLNj) thotë se nëse paralajmërimi i Ministrisë së Financave për pezullim nga Paga të grevistëve do të jetësohej atëherë kjo do të ishte shkelje e rëndë e Ligjit të Punës dhe të drejtave të njeriut.
“Natyrisht se, nëse ky kërcënim nga qeveria jetësohet do të ishte shkelje e rëndë e Ligjit të Punës dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për faktin se organizimi dhe veprimi sindikalist është i rregulluar dhe lejohen me ligj. Vetëm shtetet diktatoriale dhe fashiste kanë vepruar kështu ndaj gevistëve.KMDLNj – ë thërret qeverinë e Kosovës t’i ulë armët e kërcënimit dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikata.“, thuhet në reagimin e KMDLNj.
KMDLNj thotë se e përkrah grevën, por fton sindikatat të përpiqen t’i shmangen grevës së përgjithshme deri të shterrje të të gjitha mundësive.
Ndërsa arsye e grevës sipas KMDLNj-së është se sindikalistët kanë kërkuar rritje të pagave e që po refuzohet nga qeveria.
“Nga të gjithë segmentet që kanë filluar grevën apo që do të bëjnë grevë së shpejti, arsimi është më i ndjeshmi dhe më kërcënuesi. KMDLNj – ë është deklaruar shumë herë se greva është mjet i skajshëm apo i fundit i një veprimi sindikalist. Në mungesë të vullnetit, në radhë të parë të qeverisë, që përmes dialogut me sindikata të gjejë zgjidhje sipas kërkesës së sindikatave apo, si zgjidhje kalimtare të jetë një marrëveshje e afatizuar, dy palët kundërshtuese janë barikaduar duke mos ofruar asnjë zgjidhje. Madje, këto sindikata janë shpërfillur nga qeveria, janë kërcënuar verbalisht dhe tani po kërcënohen se do të mbesin pa paga nëse bëjnë grevë. “, thuhet në reagim.
Në një përgjigje për portalin rtv21.tv sekretari i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Enis Spahiu tha se ligi për greva është plotësuar që sipas tij nënkupton pezullimin nga paga për aq orë se grevistët nuk punojnë.
“Disa kolegë në rrjete sociale (mbase jo me qëllim të keq) nuk e kanë pasqyruar mirë dispozitën ligjore, meqë LIGJI Nr. 03/L-200 PËR GREVA, është plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-119 dhe kjo ndalesë e pagës është paraparë me këtë plotësim ndryshimin e Ligjit. Andaj, pezullimi i obligimit për me punu dhe i pagës është obligim ligjor.Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet.”, thuhet në përgjigjen e Spahiut./
Punëtorët e sektorit publik nga sot 25 gusht 2022 kanë hyrë në grevë të përgjithshme./21Media

Back to top button