KMDLNj kërkon të hetohen kërcënimet ndaj kryetarit të SBASHK-ut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga prokuroria e shtetit që të hetohen kërcënimet ndaj kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
“Pas fillimit te grevës e organizuar nga SBASHK -u, në mënyrë të organizuar nisi një linçim publik medial ndaj z Rrahman Jasharaj. Me vendim të Qeverisë së Kosovës grevistëve nuk iu ekzekutua pagesa për muajin gusht shkaku se ministri i financave kishte kërkuar lista diferencuese dhe denoncuese, si kusht për të lëshuar rrogat. Me këtë rast e pësuan edhe ata që nuk ishin pjesë e grevës. Kjo ngriti tensione dhe nxiti reagime ku fjalori fare nuk kontrollohej. Reagimet që vinin nga bartësit e pushtetit ishin kryesisht të drejtuara ndaj Rrahman Jasharajt dhe udhëheqësve tjerë të SBASHK-ut, duke i kërcënuar edhe me ndjekje penale”, thuhet në komunikatën e KMDLNj.
KMDLNj ka thënë se si dëshmi për hetime të merren postimet e personit që e ka kërcënuar Jasharajn.
“Një këshilltar i kryeministrit Kurti, Elvis Hoxha, nga Tirana akuzoi Jasharajn se, si anëtar i një partie serbe po i organizon protestat sikur që qytetarët i Kosovës i quajti kosovaristë duke shfaqur urrejtje raciste ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe duke e rrezikuar jetën e Rrahman Jasharajt pasi e cilëson si anëtar i një partie serbe. Elvis Hoxha këtë e bën me qëllim të keq, nga pozita e një keqbërësi që merr para pa punuar asgjë apo, më mirë thënë për të përhapur urrejtje raciste. KMDLNj ftonë Prokurorinë e Shtetit të nisë hetimet për kërcënimet që po i bëhen Rrahman Jasharajt e që mund t’i rrezikojnë jetën si dhe familjen. Si dëshmi për nisje të hetimeve mund të merren postimet e Elvis Hoxhës, Hysamedin Ferraj dhe debatet në mediat në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatën e KDMLNj.
KDMLNj edhe reagimin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani e ka quajtuar të vonuar.
“Reagimi i presidentes është i vonuar shumëkuptimësh dhe nuk lë shpresë që donë vërtetë të kontribuojë në tejkalimin e situatës përveç se bënë përpjekje të sigurojë një strategji dalëse, pa pasoja, për Qeverinë e Kosovës. Të drejtat e njeriut, të drejtat e organizimit dhe veprimit sindikalist nuk kanë alternativë tjetër për një vend me demokeaci e aq më pak kërcënimin dhe shantazhimin me të cilat populli i Kosovës ishte përballur shumë herë por nuk është pajtuar pavarësisht çmimit që e ka paguar. Kosova ka shumë probleme tjera për t'u marrë me njëri-tjetrin”, përfundon komunikata e KDMLNj./21Media
|m1\-w|m3ga|m5

Back to top button