KMDLNJ: Në veri të Kosovës s’ka kushte për zgjedhje

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka vlerësuar se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve dhe se të gjitha partitë politike, me një konsensus duhet të kërkojnë që ato të mbahen në një kohë kur të plotësohen kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe të pakushtëzuara.
KMDLNJ nëpërmjet një komunikate për media, ka theksuar se që nga dita e shpalljes së këtyre zgjedhjeve u vunë në veprim strukturat paralele dhe paramilitare për të penguar këto zgjedhje përmes frikësimit të votuesve të mundshëm si dhe kandidatëve, përfaqësues të subjekteve politike apo kandidatë të pavarur të cilët u tërhoqën nga gara.
“Sidomos kohëve të fundit janë aktivizuar forcat që zbatojnë dhunë psikike dhe fizike ndaj atyre që kundërshtojnë Partinë Paramilitare Politike, Listën Serbe, e cila, në emër të “mbrojtjes“ së interesave të serbëve angazhohen të zbatojnë politikat destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Janë shpeshtuar hedhja e mjeteve plasëse që rrezikojnë, jetën, sigurinë dhe pronën e qytetarëve të atyre komunave me qëllim të krijimit të kushteve penguese për mbajtje të zgjedhjeve. Nëse të gjitha këto merren parasysh sikur që pjesa dërrmuese e votuesve të nacionalitetit serbë po i bojkotojnë këto zgjedhje KMDLNj–ë e vlerëson se nuk ka kushte elementare të mbahen zgjedhjet e shpallura nga Presidentja e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa zgjedhjet për kuvendet komunale do të mbahen më 25 dhjetor.

Back to top button