KMDLNJ: Të burgosurve me sëmundje të pashërueshme duhet t’iu ndërpritet dënimi
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka ngushëlluar familjen e të burgosurit që sot ka vdekur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
KMDLNJ ka thënë se i ndjeri që nga koha kur është dërguar në burg ka qenë me sëmundje të shumta.
“Gjatë tërë kohës, që nga viti 2009, ka qenë i hospitalizuar në Stacionarin e burgut në Dubravë. Që nga pranimi në burg, ka qenë i diagnostifikuar me tumor ne kokë, i cili i është hequr gjatë mbajtjes së dënimit, sëmundje të traktit urogjenital, kardiovaskular, neurologjik, etj. Është trajtuar në vazhdimësi në Stacionarin e burgut dhe Spitalin e Pejës dhe QKUK, sipas nevojës. Kohëve të fundit ka pasur komplikime si pasojë e metastazave tumorale të cilat janë shprehur me ascit (lëng në abdomen) dhe rertentio urinae si dhe komplikime të tjera, të cilat ia kanë vështirësuar funksionimin për të cilin është kujdesur stafi mjekësor i stacionarit, në vazhdimësi. Si pasojë e kësaj, ka qenë i shtrirë në SP në Pejë dy javët e fundit nën kujdesin e vazhdueshëm të këtij institucioni. Në këtë kohë ka qenë duke u zhvilluar procedurat për pezullim të dënimit, të kërkuar nga stafi mjekësor dhe Drejtori i Burgut të Dubravës”, thuhet në njoftim.
Tutje, nga KMDLNJ kanë thënë se ka qenë kërkesë e vazhdueshme që S.L. t’i ndërpritet dinim për shkaqe shëndetësore, madje se ka pasur edhe kërkesë për falje nga Presidenti, por të gjitha këto nuk janë realizuar.
“Shërbimi Spitalor i Burgjeve ka bërë përpjekje maksimale për trajtimin shëndetësor të burgosurit, por se shumica e sëmundjeve, përkundër vullnetit dhe angazhimit ka qenë thuaja e pamundur të trajtohet në Stacionarin e Burgut në Dubravë. Duke e vlerësuar angazhimin e personelit shëndetësor në Burgun e Dubravës, KMDLNJ e ripërsërit kërkesën që të burgosurit me diagnozë terciare, me sëmundje të pashërueshme duhet t’iu ndërpritet vuajtja e dënimit apo t’iu mundësohet trajtimi mjekësor që ia siguron familja nësë kanë mundësi materiale apo pranojnë të kujdesen për të. Nuk është rasti i parë e nuk do të jetë as i fundit që të burgosurit, pa asnjë shpresë për shërim mbahen në burg ku edhe vdesin e që përgjegjësia i adresohet, pa të drejtë, Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve. Ndërprerjes së dënimit për shkaqe shëndetësore dhe të moshës duhet t’iu nënshtrohen vetëm rastet që për shkak të natyrës së veprës, nuk mund të lirohen por se konsiderohet si zgjidhje e përkohshme. Pasi mungon baza ligjore për këtë, KMDLNJ do ta përkrahë çdo nismë për ndryshim të Ligjit që e mundëson këtë ndërprerje të dënimit për shkak të gjendjen shëndetësore apo të moshës”, thuhet në njoftim./21Media