KMDLNj: Trajtim dhe përfundim i padinjitetshëm i kryetarëve të Komunave në veri

Ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarit të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe atij të Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.

Lidhur me këtë ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) duke thënë se e sheh si humbje kohe qeverisjen në këto komuna në kundërshtim me vullnetin e shumicës absolute dhe e quan të dyshimtë shtrirjen e sovranitetit ekskluzivisht me forca policore në kohën kur atje nuk ka prokurorë, gjykatës, policë dhe as administratë që përfaqëson shumicën.

“Atje duhet të gjindet një zgjidhje politike e pranueshme nga të gjithë qytetarët, pa dallim në baza nacionale dhe të tjera”, thuhet në reagimine KMDLNj-së.

Sipas Këshillit, nënshkrimi i peticionit ka filluar dhe po udhëhiqet nga Lista Serbe, me një kryetar tjetër por se përmbajtësisht nuk ka prodhuar asnjë ndryshim.

“Nga aspekti ligjor, nga aspekti i të drejtave të njeriut nuk është normale e as e pranueshme që 2-3 përqind të votuesve të imponojnë vullnetin dhe përfaqësimin 97 përqind të popullatës aq më parë që të njëjtat forca politike do të kthehen në pushtet në këto komuna pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen”, thuhet tutje në reagim.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

“Pas dorëheqjes së kryetarëve serbë në komunat Mitrovica e Veriut, Leposaviq, Zveqan dhe Zubin Potok u organizuan zgjedhjet lokale për këto komuna që prodhuan një rezultat të mbështetur në Ligjin për zgjedhje por jo edhe mbështetur në realitetin ekzistues. Pasi serbët refuzuan të marrin pjesë në zgjedhje, me një përqindje qesharake u zgjodhën kryetarët që nuk përfaqësonin as 1 përqind të votuesve. Për Mitrovicën e Veriut u zgjodhë Erden Atiq, për Leposaviqin, Lulzim Hetemi që të dy nga VV kurse në Zveçan u zgjodhë Ilir Peci i PDK sikur që në Zubon Potok u zgjodhë Izmir Zeqiri, gjithashtu i PDK-së. Që nga zgjedhja e tyre filluan të kêrkohen mënyrat se si të largohen për faktin se qytetarët nuk i pranonin si kryetarë të tyre e as ndërkombëtarët. Në mungesë të stafit i mbushën komunat me familjarë dhe militantë partiakë. Kryetarët e VV trajtoheshin mirë nga qeveria përmes vizitave të shpeshta të ministrave dhe aktivistëve partiakë ndërsa Lulzim Beqirin e shndërruan në figurë tragjiko – komike duke ia futur në kokë bindjen se ai është qendra e botës. Midis dy mundësive: 1. i dhënies së dorëheqjes dhe 2. shkarkimi përmes peticionit të 20 përqind të votuesve, qeveria e Kosovës përmes një ministri jokompetent, atij të pushtetit lokal u përcaktua për nënshkrimin e peticionit ne ndërkohë që kryetarët nga radhët e PDK- së ishin për dorëheqje, pas një marrëveshjeje politike. Nënshkrimi i peticionit ka filluar dhe po udhëhiqet nga Lista Serbe, me një kryetar tjetër por se përmbajtësisht nuk ka prodhuar asnjë ndryshim. Nga aspekti ligjor, nga aspekti i të drejtave të njeriut nuk është normale e as e pranueshme që 2-3 përqind të votuesve të imponojnë vullnetin dhe përfaqësimin 97 përqind të popullatës aq më parë që të njëjtat forca politike do të kthehen në pushtet në këto komuna pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen. KMDLNJ- ë e sheh si humbje kohe qeverisjen në këto komuna në kundërshtim me vullnetin e shumicës absolute dhe e quan të dyshimtë shtrirjen e sovranitetit ekskluzivisht me forca policore në kohën kur atje nuk ka prokurorë, gjykatës, policë dhe as administratë që përfaqëson shumicën. Atje duhet të gjindet një zgjidhje politike e pranueshme nga të gjithë qytetarët, pa dallim në baza nacionale dhe të tjera. Qetësia aktuale në veri të Kosovës është mashtruese dhe po menaxhohet nga Beogradi. Vendosja e sanksioneve për Kosovën kryesisht ndërlidhet me Veriun dhe për fat të keq për faktin se Kosova po konsiderohet si faktor destabilizues. Institucionet e Kosovës duhet t’i trajtojnë qytetarët në veri të Kosovës njëjtë, pa i diskriminuar në baza etnike sikur që është pagesa e rrymës dhe shërbimeve tjera. Institucionet e Kosovës duhet të nxjerrin mësimin e nevojshëm nga aventura politike me 4 kryetarë në Veri të cilët vet i futi në flakë dhe vet po i djegë dike mos e respektuar as minimumin e dinjitetit. Demokracia ka rregulla të qarta dhe të drejtat e njeriut nuk janë ato çka parashihen në dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare por sa ato zbatohen në praktikë. Çfarëdo diskriminimi qoftë edhe ai pozitiv është në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Për situatën në Veri të Kosovës përgjegjësi e madhe shkon në adresë të ndërkombëtarëve që po mbajnë qëndrim oportunist ndaj Serbisë”.

Back to top button