Kodi i ri i Procedurës Penale përcakton suspendimin e zyrtarëve me aktakuza

 

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot ka mbajtur një konferencë për media me ç ‘rast ka prezantuar ndryshimet që vijnë përmes Projekt- Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit synohet lufta më efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe siguria juridike dhe të drejtat e patjetërsueshme të qytetarëve përgjatë zhvillimit të procedurës penale.

Gjatë konferencës për media, ministri Selimi ka përmendur aspektin përmbajtjesor dhe ndryshimet kryesore të Kodit të Procedurës Penale siç është edhe suspendimi nga puna të zyrtarëve publik, me rastin e ngritjes së aktakuzës për vepra penale të korrupsionit dhe të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Qëllimi i këtij propozimi është që përmes suspendimit të këtyre zyrtarëve të parandalohet keqpërdorimi i mëtejshëm i autoritetit dhe mos t’u lihet mundësia të ndikohet në prova, element ky kyç për të siguruar ndjekje penale të suksesshme. Nenet e propozuara vlejnë për të gjithë personat zyrtarë të akuzuar për veprat penale të korrupsionit, duke mundësuar kështu trajtimin dhe qasjen uniforme ndaj tyre pa marrë parasysh funksionin ose detyrat që mund të ushtrojnë”, ka deklaruar Selimi.

Sipas tij, një pjesë tjetër e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale është edhe hetimi dhe gjykimi në mungesë për veprat penale të krimeve të luftës.

“Propozimi ka ardhur për shkak se ka shumë raste kur ka pasur vështirësi për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, me ç‘ rast të pandehurit i janë shmangur drejtësisë e sidomos për krimet më të rënda siç janë krimet e luftës. Përveç kësaj, mungesa e të pandehurit në gjykim ka shkaktuar edhe shpenzime të mëdha si dhe ka rezultuar pa një vendim final nga ana e gjykatës”, ka treguar ministri Selimi.

Siç është bërë e ditur në komunikatë, Selimi po ashtu deklaruar se Projekt- Kodi rishikon në tërësi dispozitat për konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale, duke i harmonizuar këto dispozita me Ligjin e ri për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë.

“Vlerësojmë se përmes këtyre ndryshimeve do të rritet efikasiteti i organeve ligj-zbatuese në raport me konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale”, ka deklaruar ministri Selimi.

Kodi i Procedurës Penale si dokument me rëndësi të veçantë, ishte miratuar nga legjislatura e kaluar, por për shkak të shpërndarjes së Kuvendit i njëjti i është kthyer Ministrisë së Drejtësisë.

Projekt-Kodi është hartuar dhe finalizuar nga Ministria e Drejtësisë së bashku me partnerët tanë strategjik, Ambasada e SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Kosovës, si dhe me pjesëmarrje aktive të gjyqtarëve, prokurorëve, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Back to top button