KOK: U prehsh në paqe, Izet Gjinovci

Sot në moshën 63-vjeçare ka vdekur sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci.
President ii KOK-ut, Ismat Krasniqi, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e kontribuuesit të madh të hendbollit dhe sportit kosovar.

Krasniqi përmes një postimi në faqën e KOK-ut në “Facebook” tha se Gjinovci aq shumë e deshi hendbollin sa që edhe sëmundja që e kishte kapluar nuk e ndalte të jepte kontributin e tij deri në frymën e fundit si sekretar i përgjithshëm i FHK-së.

Postimi i plotë:

Telegram ngushëllimi
E nderuara familje Gjinovci,

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë pranuam lajmin për ndarjen e kontribuuesit të madh të hendbollit dhe sportit tonë, Izet Gjinovci.
Izeti nuk ishte vetëm i hendbollit, ishte mik i yni, ishte i gjithë komunitetit të sportit, e po ashtu lëvizjes olimpike. Ishte personalitet që një jetë të tërë ia kushtoi zhvillimit, masivizimit, ndërkombëtarizimit dhe sukseseve ndërkombëtare të hendbollit.
Me Izetin njiheshim kaherë, e lidhja jonë u forcua përmes bashkëpunimit të frytshëm që kishim përmes sportit, ku bashkërisht kishim qëllime të avancimit të sportit tonë, në këtë rast hendbollit.
Aq shumë e deshi hendbollin sa që edhe sëmundja që e kishte kapluar nuk e ndalte të jepte kontributin e tij deri në frymën e fundit si sekretar i përgjithshëm i FHK-së.
Kontributi i tij për zhvillimin e hendbollit kosovar është kolosal. Pas karrierës së suksesshme si hendbollist i Prishtinës, i ndjeri Gjinovci mori drejtimin e klubit prishtinas. Ka sakrifikuar shumë për ta udhëhequr klubin me sukses, ndërsa në një periudhë e kishte shkrirë gjithë pasurinë për mbarëvajtjen e klubit.
Ka kontribuuar në pavarësimin e sportit kosovar, ndërsa në vitet nëntëdhjeta, kur sporti kishte misionin e kundërvënies ndaj pushtuesit, është shquar me angazhimin e pandalshëm.
Ishte pjesë e organizimeve të rëndësishme të hendbollit dhe pjesë e pandashme e tij.
Prej vitit 2002 e deri në ditën e fundit të jetës e ka kryer me sukses të plotë punën e sekretarit gjeneral të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ka udhëhequr procesin e lobimit ndërkombëtar, së bashku me presidentin e nderit të FHK-së, Mexhid Devaja. Suksesi ishte madhështor.
Më pas, së bashku me presidentin e FHK-së, Eugen Saraçini, kanë udhëhequr procesin e pranimit të plotë në EHF e IHF. Edhe ky proces u përmbyll me sukses të plotë. FHK-ja u pranua e para prej federatave të sporteve kolektive. Gjinovci ishte së fundi edhe anëtar i Gjykatës së Apelit të EHF-së.
Në emrin tim personal dhe Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, iu shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, Federatës së Hendbollit të Kosovës, miqve dhe gjithë komunitetit të sportit.
Ismet Krasniqi
President i KOK-ut

Back to top button