Kurti për ekstradimin e Ramadanit: Të përmbyllet çështja sa më shpejt që të ruhen marrëdhëniet fqinjësore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, janë deklaruar rreth rastit të ndalimit të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradim për krime lufte në vitin 1999.
Kurti ka thënë se për këtë rast ministrat e Drejtësisë të të dyja vendeve do të jenë në kontakt të vazhdueshëm.
Ai ka shtuar se beson që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt në mënyrë që të zbatohet ligji dhe të ruhen marrëdhëniet e mira fqinjësore.
“Besoj që do të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që edhe ligji të zbatohet, por edhe që marrëdhëniet e mira fqinjësore të ruhen e të mirëmbahen. Unë jam optimist për të ardhmen, nuk është rasti i parë ky që na ndodh, ka pasur raste të tilla edhe në të kaluarën. Unë besoj që aktgjykimet e gjykatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga e kaluara tregojnë qartë rrugën në të cilën do të ecim në të ardhmen e afërt”, ka thënë Kurti.
Edhe Mickoski ka thënë se nuk dëshiron ta përsëris atë se çfarë tha Kurti. Sipas tij, marrëdhëniet e mira fqinjësore do të shkojnë në drejtim pozitiv.
“Ministrat e Drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastin ‘Monstra’ gjithashtu, sepse marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bilaterale do të shkojnë në drejtim pozitiv. Ky takim është i mirë pasi duam t’i rrisim dhe përmirësojmë marrëdhëniet mes dy qeverive”, është shprehur ai.