Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) në Kosovë, ka kërkuar nga shkollat që të trajtohet me prioritet shëndeti mendor i nxënësve.

KOMF përmes një komunikate për media thotë se përmes organizatave anëtare ka përcjellë rifillimin e procesit mësimor e më specifikisht mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë dy javëve të para.

Sipas kësaj organizate, ndër të tjera, pandemia ka ndikuar edhe në jetën e fëmijëve.

Sipas KOMF-it, ndërprerja e mësimit ishte një ndër faktorët kryesor të cilët shkaktuan kaos në jetët e fëmijëve e ndër të tjera ngjallën frikë e pasiguri mes tyre.

Organizata thotë se ndërprerja e mësimit në muajin mars 2020, ishte e detyrueshme dhe e përshpejtuar si pasojë e shpërthimit të pandemisë, duke mos lënë asnjë hapësirë për ta bërë procesin më gradual e të pranueshëm për fëmijët.

“KOMF konstaton se edhe rinisja e procesit mësimor është bërë pothuajse në mënyrën e njëjtë, pa hapa të mjaftueshëm përgatitor të zhvilluar në bashkëpunim apo me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe prindërve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka përcaktuar modelin për rifillimin e procesit mësimor, ndarjen e klasave në grupe, mësimin e kombinuar, etj. Megjithatë nuk janë bërë mjaftueshëm konsultime apo sesione paraprake (qoftë virtuale) me fëmijët dhe prindërit për t’i informuar dhe përgatitur ata rreth asaj çfarë pritet të ndodhë nëpër shkolla me fillimin e vitit. Po ashtu KOMF konsideron që nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme me nxënësit sa i përket ndarjes në klasa dhe ka munguar një qasje e unifikuar për ndarjen në grupe e cila do të minimizonte pakënaqësitë. Për pasojë ndarja e nxënësve në dy grupe shpesh ka ndarë fëmijët prej shoqeve apo shokëve të ngushtë duke ndikuar negativisht në entuziazmin dhe vullnetin e tyre për tu kthyer në shkolla”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sipas organizatës, dilemat rreth nisjes së procesit mësimor dhe shtyrja e datës së fillimit të shkollës, shoqëruar me mungesën e përgatitjeve të duhura, kanë ndikuar dukshëm në gjendjen psikologjike të fëmijëve, aq më tepër kur marrim në konsideratë situatën e rënduar përgjatë muajve të fundit.

“Shëndeti mendor njëjtë si ai fizik, ka një rëndësi të pakontestueshme në garantimin e zhvillimit të fëmijëve në përputhje të plotë me interesin më të mirë të tyre. Është jetike që shkollat, institucionet, mësimdhënësit dhe të gjithë ofruesit e shërbimeve të kujdesen fillimisht që fëmijët të përshtaten në mënyrë graduale e të pranueshme nga vetë ata në mjediset ku marrin shërbime, të ndihen të sigurtë, të qetë e të mbrojtur. Kjo është cekur edhe në udhëzime të lëshuara nga profesionistë të fushës së shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Nisur nga gjithë kjo situatë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit mendor të fëmijëve, KOMF rekomandon:

MASh, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat krahas marrjes së masave sipas udhëzuesit për rikthim në shkolla, duhet të shohin mundësinë për angazhim të stafit shtesë teknik dhe profesional. Angazhimi i stafit profesional, sikurse angazhimi i psikologëve shtesë dhe i punëtorëve social, është më se i domosdoshëm në këtë periudhë të vështirë;

Mësimdhënësit të zhvillojnë orën e kujdestarisë por edhe orë të tjera përgjatë javës, duke i zhvilluar si orë diskutimi mbi vështirësitë, problemet dhe mbi shëndetin mendor, me qëllim të mbështetjes së fëmijëve dhe mbrojtjes së shëndetit të tyre. Në këtë mënyrë i gjithë sistemi i jep prioritet mirëqenies emocionale të fëmijëve dhe shëndetit mendor të tyre, dhe në të njëjtën kohë garanton mbështetje për këdo që ka nevojë për ndihmë;

Mësimdhënësit të organizojnë sa më shumë aktivitete rekreative dhe argëtuese me fëmijët me qëllim largimin e stresit dhe të ankthit; Në këtë periudhë, ekuilibri emocional i fëmijëve duhet të jetë konsiderata e pare;

Të mbahen takime virtuale me prindër për të diskutuar mbi rëndësinë e shëndetit mendor të fëmijëve dhe rolin e prindërve në këtë drejtim;
Mësimdhënësit të organizojnë takime të rregulla virtuale me të gjithë nxënësit e klasës, ku ata do të kenë mundësi të takohen me shokët/shoqet e klasës të cilët nuk i kanë takuar deri më tani për shkak të ndarjes që është bërë./21Media