Komuna e Prishtinës i rekomandon Qeverisë që tatimi në pronë të jetë si në vitin 2022

Përmes një propozimi të kryetarit Përparim Rama, Komuna e Prishtinës të martën i ka rekomanduar Qeverisë dhe Kuvendit që fatura e pagesës së tatimit në pronë të jetë e njëjtë sikur në vitin 2022, mbledhja e tatimit sipas vlerësimit të ri të fillojë nga viti i ardhshëm dhe të subvencionojë faturat e tatimit në pronë të vitit 2023.
Rama përmes një postimi në “Facebook” i ka rekomanduar këto tri pika.
“Në lidhje me zbatimin e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave, sot, Kuvendit të Kryeqytetit në seancë të rregullt ia paraqita propozimin tim i cili i rekomandon Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, pikat si në vijim:
1. Mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave të kryer nga Ministria e Financave të fillojë nga data 1 janar 2024, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Tatimin në Pronë.
2. Ndryshimi i Ligjit të Tatimit në Pronë sipas pikës 1 të këtij propozimi ia mundëson Kryeqytetit që gjatë vitit 2023 të faturojnë dhe të mbledhin tatimin në pronë sipas vlerave të faturimit të vitit 2022.
3. E inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që nga buxheti qendror të subvencionojë faturat e tatimit në pronë të vitit 2023, në vlerë deri në 100 eurot e para të faturimit”, ka shkruar Rama.
Ai në fund falënderoi anëtarët e Kuvendit të Kryeqytetit që votuan pro propozimeve të tij, të cilat sipas tij së shpejti do t’ia dërgojnë Ministrit të Financave, Kryeministrit dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button