Një ditë më parë, dega e PDK-së në Prizren, akuzoi kryetarin Mytaher Haskuka për shkarkimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të disa shkollave dhe zëvendësimin e tyre pa konkurs, vetëm me preferenca partiake

Mirëpo Komuna e Prizrenit njoftoi se emërimi i ushtruesve të detyrës së drejtorëve të rinj në disa shkolla të Komunës së Prizrenit, është bërë pasi që kontrata e drejtorëve të këtyre shkollave ka skaduar dhe hapja e konkursit të rregullt është pamundësuar për shkak se Kuvendi Komunal akoma nuk e ka miratuar formimin e Komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të Institucioneve edukative-arsimore dhe aftësuese.

Komuna e Prizrenit thotë se ka iniciuar në Kuvendin Komunal kërkesë-propozimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për formimin e këtij komisioni, ashtu siç është e paraparë edhe me Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe udhëzimin përkatës administrativ për procedurat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të institucionit edukativo-arsimor.

Kjo kërkesë nuk është miratuar nga Komiteti për Politikë dhe Financa dhe kështu është larguar nga pika e rendit të ditës së mbledhjes së fundit të Kuvendit. Po ashtu kërkesa për votim të këtij komisioni është përsëritur edhe gjatë mbajtjes së Kuvendit, mirëpo ajo përsëri nuk ka hyrë në rend të ditës. Pra përzgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të rinj është bllokuar nga Asambleja Komunale, gjegjësisht legjislativi dhe për këtë arsye ekzekutivi ka bërë përcaktimin e përkohshëm të ushtruesve të detyrës së drejtorit brenda sistemit arsimor. Përzgjedhja e U.D. të drejtorëve ka qenë domosdoshmëri institucionale për mbarëvajtjen e proceseve arsimore dhe është bërë në përputhje me kriteret për drejtorë”, thuhet në reagim.

Komuna e Prizrenit fton ish-drejtorët që iu ka skaduar kontrata, si dhe të gjithë kandidatët e interesuar, që të aplikojnë në konkursin publik, në momentin e hapjes.

Edhe ky konkurs, ashtu siç është realizuar gjatë konkursit të kaluar për drejtorë, do të bëhet në transparencë të plotë, me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga sindikata e arsimit, këshilli i prindërve, OJQ-të, përfaqësuesit e mediave, si pjesë monitoruese e procesit”, përfundon reagimi.