Konfiskohen 594 vazo të mbjella me bime të kanabisit në Shkabaj
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës sot pas një bastsije që kanë kryer në fshatin Shkabaj të Obiliqit kanë identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike në bodrumin e shtëpisë së një të dyshuarit.
Policia njofton se në cilësi të provave materiale janë konfiskuar/sekuestruar: 594 vazo të mbjella me bime të kanabisit (me gjatësi rreth 2 metra dhe peshë të përgjithshme rreth 300 kg), sistemi i ventilimit, pajisjet për ndriçim, pajisjet për ujitje të bimëve, 10 pako me pesticide, 2 vetura, një revole 7.65 mm, 8 fishekë, 3 telefona si dhe prova tjera materiale.
Në këtë aksion Policia ka arrestuar dy persona të dyshuar. Prokurori i rastit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me vendim të tij të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Operacion i sotëm policor vije pas dy operacioneve tjera të suksesshme të drejtorisë së antidrogës ndaj kësaj dukurie të laboratorëve të datave 24.11.2021, laboratori në fshatin Grashticë-Prishtinë, ku ishin të kultivuara rreth 72 bimë dhe ishte arrestuar një i dyshuar dhe me datën 25.11.2021 në fshatin Prugovc-Prishtinë në një laborator të mbyllur janë zbuluar 112 bimë të mbjella të kanabisit, po ashtu edhe aty ishte arrestuar një i dyshuar./21Media