Konflikti Rusi-Ukrainë, Lavrov: Evropa mund t’i rikthehet konfrontimit ushtarak

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka paralajmëruar se Evropa mund të kthehet në atë që ai e quajti “makthi i konfrontimit ushtarak”.
Në një konferencë për sigurinë në Suedi, Lavrov foli për idenë e një pakti të ri evropian të sigurisë, në përpjekje për të ndaluar zgjerimin e NATO-s në lindje.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi për pasoja serioze nëse Rusia kërkon konflikt me Ukrainën.
Takimi vjen pasi Rusia e rriti ushtrinë e saj pranë kufirit të Ukrainës.
Ukraina thotë se Rusia ka grumbulluar më shumë se 90,000 trupa atje.
Moska mohon se po përgatit një sulm ndaj Ukrainës dhe akuzon Kievin për ngritjen ushtarake.
Ndërsa tensionet rriten, Rusia tha të enjten se kishte arrestuar tre agjentë të dyshuar të shërbimit të sigurisë ukrainase.
Njëri nga të tre akuzohej për planifikim të një sulmi terrorist, ndërsa dy të tjerët kishin kërkuar të mblidhnin inteligjencë, tha Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë.
Zyrtarët amerikanë thanë se të dy palët kishin rënë dakord për dialog të mëtejshëm për Ukrainën.
Tutje, Blinken la të kuptohet për mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Presidentit të SHBA Joe Biden dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në të ardhmen e afërt.
Ministria e Jashtme e Rusisë shpresonte se një samit Putin-Biden do të mbahej në ditët në vijim, por asnjë datë nuk është caktuar./21Media

Back to top button