Konjufca: 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope

(Lajm i përditësuar)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë sot se familja Jashari e ka shpallur lirinë e popullit të Kosovës dhe mbrojtur atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Ai në seancën e Kuvendit, në shënim të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, ka thënë se 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope.
Kreu i Kuvendit ka thënë se lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë shqiptare.
“Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharajve është ngjarje e pashembullt jo veç në historinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës. Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore në tokën e lashtë të stërgjyshërve, nga baci Shaban e deri të Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetmohimi aq tronditës saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes kurse bota u zhvendosë nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë frymë dhe e përfshiu të gjithë popullin tonë. 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope”, ka thënë Konjufca.
Sipas Konjufcës, kur flitet për Jasharët, lavdia e të gjallëve është jo më e pakët se ajo e të rënëve.
Ai ka përmendur të mbijetuarën e familjes Jashari, Besartën, me ç’rast, ka thënë se përmes saj Zoti është kujdesur që dëshmia të jetojë.
“Besarta mbijetoi për ta ndarë me ne qëndresën legjendare dhe flijimin e familjes së saj. Zoti u kujdes që dëshmia të jetojë. Shpesh më del para syve momenti kur baci Rifat kthehet në Prekaz mes varreve ende të freskëta, me plis në kokë dhe mustaqet e tij të bardha, me atë ecje titanike, ai barte mbi supet e tij si kreshtat e maleve tona krejt dhimbjen tonë historike por edhe krenarinë tonë më të lartë. I kishte humbur 55 anëtarë të familjes, prej tyre gruan dhe katër fëmijët e tij, prindërit e tij, vëllezërit, bashkë me gratë e tyre dhe nëntë nipa e mbesa. Por ishte ai që i ngushëllonte të tjerët, familjarët e gjallë, ushtarët e UÇK-së, dhe bashkëfshatarët e tij. Të dashur vëllezër e motra, vetëm për një miut mundohuni ju lutëm të zini vendin e baçit Rifat dhe më thoni a nuk është ky pikërisht definicioni i heroit të gjallë. Lavdi luftës dhe sakrificës së familjes Jashari, lavdi epopesë së UÇK-së”, ka thënë Konjufca.
Kosova po shënon 25 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar sakrificën e familjes Jashari në Prekaz më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Kurti: Rezistenca e Jasharëve themeltare në historinë e Kosovës
Në seancën solemne për nder të “Epopesë së UÇK-së” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar vitin 1982 kur Rifati dhe Hamza kanë shkuar në Turqi për të marrë pamflete politike për t’i shpërndarë në Kosovë e që në to shkruante “Kosova Republikë”.
“Republika e Kosovës si shtet demokratik nis me Kosova Republikë si parullë popullore. Më shumë se katër dekada ku kishte shpërndarë pamflete me thirrjen Kosova Republikë, bacën Rifat Jashari e kemi këtu mes nesh në Kuvendin e Republikës së Kosovës. E kemi këtu për t’i kujtuar bashkë me krerët politikë të Kosovës, me deputetët e zgjedhur prej popullit në kuvendit, si me gjithë qytetarët e vendit tonë se çfarë kishte ndodhur atëherë. Për 25 vjet rresht baca Rifat ka pritur dhe përcjellë pa numër delegacionet e njerëz që vizituan Prekazin dhe familjen Jashari. Ju faleminderit që me kaq dinjitet dhe fisnikëri e keni ruajtur atë histori të familjes suaj që ju e keni bërë bashkë me Hamzën dhe Ademin, me babën Shaban dhe nënën Zahide dhe me gratë e familjes, si dhe me djemtë e vajzat tuaj”, ka thënë ai.
Kurti, tutje ka shtuar se në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vetë shtetit, rezistenca e familjes Jashari dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe sipas tij, të tilla do të mbeten përjetë.
Osmani: Ngjarjet e marsit përbëjnë shtyllat më të forta të shtetit të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ngjarjet e 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998 përbejnë jo vetëm kujtesën për historinë më të re të Kosovës, por edhe një ndër shtyllat më të forta që u ngrit shteti i Kosovës.
“Në këtë ditë të lavdisë ishte në njërën anë baca Shaban, Hamza, komandanti legjendar Adem Jashari, familjarët dhe bashkëluftëtaret e UÇK-së që personifikonin të drejtën dhe lirinë. Në anën tjetër ishin forcat gjenocidale serbe që u binden që liria është më e çmueshme se çfarëdo makinerie e fuqishme. Në këtë ditë kujtojmë edhe të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari që nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Në ditët si këto duhet t’u flasim fëmijëve për familjen Jashari”, ka thënë ajo.
Me himnin shtetëror dhe kombëtar nis seanca solemne
Me himnin shtetëror e pastaj edhe atë kombëtar ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës në nder të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.Pastaj deputetët dhe të pranishmit kanë mbajtur një minutë heshtje për të rënët për liri.
Në seancë janë të pranishëm edhe presidentja Vjosa Osmani dhe Rifat Jashari.
Familja Jashari në seancën solemne të Kuvendit për Epopenë e UÇK-së
Familja Jashari po merr pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të “Epopesë së UÇK-së”.
Në seancë do të marr pjesë edhe presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani, e cila do të mbajë fjalim.
Gjatë ditës së sotme do të ketë edhe aktivitete tjera për nder të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së./21Media

Back to top button