Kurti: Qëndresa në Gllogjan i dha Serbisë mesazhin se kulla nuk gjunjëzohet, Kosova nuk nënshtrohet

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përkujtuar Epopenë e Dukagjinit në 26-vjetorin e saj, duke thënë se qëndresa në Gllogjan i ka dhënë Serbisë mesazhin e fuqishëm se kulla nuk gjunjëzohet, se Kosova nuk nënshtrohet.

“Sot kujtojmë dëshmorët e Epopesë së Dukagjinit, Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj. Sakrificën e tyre e nderojmë ҫdo ditë me respektin më të lartë. Duke kujtuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, po e zhvillojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës. 26 vite më vonë, ushtrinë e shtetit e kemi më të fuqishme e më të pajisur, më të përgatitur e më të madhe se asnjëherë më parë. Krahas rritjes së buxhetit, shtimit të investimeve në armatim, sivjet ushtrisë sonë do t’i bashkohen edhe 600 rekrutë të rinj”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se ideali i dëshmorëve, përparimi i vendit dhe liria e popullit “po jetësohet dhe po jetohet për çdo ditë”.


Osmani: Epopeja e Dukagjinit, një nga kapitujt më heroik të luftës së UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa ka përkujtuar 26-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, ka thënë se është një nga kapitujt më heroik të luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo ka thënë se për lirinë e Kosovës kanë dhënë kontribut të madh edhe aleatët.

“Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj në këtë ditë e fituan përjetësinë, duke u bërë heronjtë tanë të përhershëm. Kjo Epope përkon me fillimin e bombardimeve të NATO-s, kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë dhe është dëshmi se për lirinë tonë dhanë kontribut të madh edhe aleatët tanë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.


Konjufca: Heroizmi i dëshmorëve në Dukagjin, udhërrëfyes për brezat e ardhshëm

Kryetari Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në shnimin e 26-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, ka bërë homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë.

Konjufca ka shkruar në Facebook se jehona e heroizmit do të ushtonte kudo, si burim frymëzimi e mobilizimi, si shembull i vetëmohimit, sakrificës sublime nëpër të cilën kalon rruga drejt lirisë.

“Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht më 24 mars të vitit 1998, nuk e dinin se pikërisht pas një viti, më 24 mars 1999 do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të forcave okupatore të Serbisë. Ata dinin vetëm se me guximin dhe vendosmërinë e tyre ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë. Ata ishin të bindur se gjaku i dëshmorëve e sjell lirinë e popullit tone”, shkruan Konjufca.

Sipas tij, shembulli i tyre është udhërrëfyes tepër i vyer për brezat e ardhshëm, prej të cilit nuk do të reshtim së mësuari, e do të frymëzohemi gjithmonë.

“Lavdi e përjetshme Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, shkruan ai.

Back to top button