Kosnett konfirmon përkrahje për Gjykatën Kushtetuese

Arta Rama-Hajrizi shprehu mirënjohjen për ndihmën që Qeveria e SHBA-së i ka ofruar deri më tani Gjykatës Kushtetuese

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi priti sot në takim njohës ambasadorin e ri të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, të cilin e njoftoi me punën dhe sfidat, me të cilat është përballur ky institucion gjatë vitit që shkoi, veçanërisht në aspektin e funksionimit dhe të vendimmarrjes.

Largimi i njëkohshëm i katër gjyqtarëve të gjeneratës së parë të emëruar në Gjykatën Kushtetuese dhe humbja e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje vitin e kaluar ishin ndër sfidat kryesore , të cilat kryetarja Rama-Hajrizi i veçoi në takim.

Ndërsa, diplomati amerikan konfirmoi përkrahjen e tij për pavarësinë në punë të Gjykatës Kushtetuese dhe shprehu zotimin për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike, në të gjitha fushat me interes reciprok.

Rama-Hajrizi shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën që Qeveria e SHBA-së i ka ofruar deri më tani Gjykatës Kushtetuese, por edhe institucioneve të tjera në vend, nëpërmjet projekteve të financuara nga Misioni i USAID-it në Kosovë.

Back to top button