Kosnett: Politika nuk ka vend në sektorin e edukimit

Kosnett mbështet Apostolovan

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett i është bashkuar thirrjes së Nataliya Apostolovas, që të mos kërkohet ndërhyrje në punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Philip Kosnett ka thënë se politika nuk ka vend në sektorin e edukimit.

“Politika nuk ka vend në sektorin e edukimit. Unë fuqishëm mbështes deklaratën e Apostolovas se Agjencia e Akreditimit e Kosovës duhet të jetë e pavarur për të siguruar cilësi në edukim”, ka shkruar në rrjetin social, Twitter, ambasadori Kosnett.

Ndryshe, dje shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova përmes një njoftimi për media ka treguar se ka takuar anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA) dhe me këtë rast ajo ka potencuar që  politika të mos ndërhyjë në punën e agjencive të pavarura.

Sot të gjitha universitetet publike kanë filluar grevën e përgjithshme dhe kjo grevë do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të arsimit, Shiqyri Bytyqi.

Rektorët e universiteteve publike më 24 janar i ishin drejtuar deputetëve të Komisionit për Arsim, ku kishin shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e 40 për qind të programeve në këto universitete. Ata kishin deklaruar se vendimin në fjalë e konsiderojnë jo-ligjor. Andaj, kishin kërkuar që deri më 28 janar të shkarkohet Këshilli, në të kundërtën do të vazhdonin me greva dhe protesta./21Media

Back to top button