Kosova dhe Serbia me marrëveshje, të mundshme, më 2023

Njohës të rrethanave politike nuk është se presin që marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi të arrihet deri në mars të vitit 2023, siç ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës.
Por, parashikojnë se me përfshirje më aktive të faktorit ndërkombëtar kjo marrëveshje mund të arrihet vitin e ardhshëm, por nuk përjashtojnë pengesat që mund të shkaktojë pala serbe.
Marrëveshja Kosovë-Serbi për targat që u arrit të mërkurën e shkuar do të dinamizojë procesin e dialogut drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënive midis këtyre dy shteteve, janë pritshmëritë e njohësve të rrethanave politike.
Sociologu Artan Muhaxhiri mendon se pikësynim duhet të jetë arritja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi vitin e ardhshëm.
Problemi me targat e dëshmoi se sa i brishtë është i gjithë procesi i dialogut. Unë mendoj se edhe bashkësia ndërkombëtare do të punojë shumë që t’i parandalojë rastet e tilla në të ardhmen. Këto veç sa humbin kohë dhe energji nga synimi kryesor, i cili është arritja e marrëveshjes finale. Nëse ka vullnet, insistim dhe investim të madh të palëve, atëherë një marrëveshje mund të arrihet vitin e ardhshëm. Marsi duket shumë herët, pasi palët janë shumë larg njëra tjetrës. Por nëse aranzhohen të gjitha copëzat e mozaikut të madh dhe komplikuar të dialogut, atëherë mund të ketë një marrëveshje vitin e ardhshëm”, tha Muhaxhiri për KP-në.
Kryeministri Kurti ditë më parë ka thënë se Kosova ishte gati që t’i pezullonte gjobat për targa ilegale serbe, në mënyrë që të krijohet hapësirë për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, sic u shpreh, e paraparë nga BE-ja që të arrihej deri në mars të vitit 2023.
Njohësi i rrethanave politike Gazmir Raci është optimist se mund të ketë lëvizje pozitive për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi vitin e ardhshëm.
Është shumë e rëndësishme që këtë dialog të përmbyllim brenda vitit të ardhshëm dhe ashtu ka qenë premtim i presidentit Biden se kjo çështje duhet të përmbyllet në mandatin e tyre“, thekson Raci.
Edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike sheh mundësi për përshpejtim të dialogut Kosovë – Serbi, por njëherësh vë në dukje rrrezikun e shtyrjes së këtij procesi nga ana e Serbisë. INCIZIMI Arbër Fetahu- Grupi për Studime Juridike dhe Politike .
Ka potencial për dinamizim, shtuar këtu edhe insistimin e ShBA-së që ky proces të vazhdojë me negociata intensive deri në arritjen e një marrëveshje… Pres një fillim të negociatave me një model ndryshe, një pikë të rendit ndryshe, i cili është normalizimi i marrëdhënieve të dy vendeve me një plan në tavolinë… Rreziku për prolongim, rreziku për stopim të negociatave dhe bllokada është i mundshëm, pasi Serbia në thelb nuk e pranon njohjen e Kosovës. Nëse ka elemente që vërtet nuk i pëlqejnë Serbisë dhe nuk i shkojnë përshtati mund të ketë bllokada të ndryshme“, tha Fethau.
Kosova dhe Serbia të mërkurën në Bruksel arritën marrëveshje për targat e veturave në veriun e Kosovës. Marrëveshja u mirëprit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një hap i rëndësishëm për uljen e tensioneve dhe që krijon hapësirë për t’u përqendruar në arritjen e marrëveshjes përfundaimtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Back to top button