Kosova me rininë dhe Iowa me kompanitë, një sinergji me rezultate pozitive

2 min read

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kryeministri, Albin Kurti në kuadër të takimeve në shtetin Iowas, janë takuar me Gjeneral-majorin e Gardës Kombëtare të Iowas, Benjamin Corell, si dhe pjesëtarët e FSK-së që po qëndrojnë për trajnime atje.

Corell e ka vlerësuar lartë kontributin e ushtarëve kosovarë në misionet e paqes në Lindjen e Mesme, si dhe është falenderuar për bashkëpunim për faktin që Kosova tashmë shihet si partner i besueshëm për bashkëzbarkim me Gardën Kombëtare të Iowas në çdo mision.

”Zbarkimi i FSK-së së bashku me ushtarët e SHBA-ve në misione jashtë shtetit tonë, strehimi dhe asistimi i transportimit të refugjatëve afganë, janë elemente të një shteti bashkëpunues që përqafon vlerat evropiane, si dhe hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të reformës në Ushtrinë e Republikës së Kosovës sipas standardeve Euro-Atlantike”, ka thënë Mehaj.

Ky i fundit ka shkruar se misionet paqeruajtëse, kërkesa për bazë të përhershme ushtarake amerikane në Republikën e Kosovës dhe vullneti i Qeverisë për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, janë mesazh i qartë i qëndrimit të tyre karshi aleatëve.

”Ky partneritet ndërmjet Kosovës dhe Iowas ka ndihmuar në shkëmbimin e vlerave dhe përvojave dhe do t’u ofroj qytetarëve të të dy shteteve mundësi më të mëdha. Kosova me rininë e saj dhe Iowa me kompanitë e gatshme për investim, janë sinergjia e një miqësie të përjetshme me rezultate shumë pozitive”, ka shkruar Mehaj tutje./21Media