Kosova merr “dritën jeshile” për t’u rikthyer me të drejtat e plota në ENQA

Kosova sot ka pranuar statusin e kandidatit në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), nga e cila ishte përjashtuar katër vjet më parë për shkak të ndërhyrjeve politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim me vendimin e sotëm është vetëm edhe një hap larg për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t’i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA”, shkruan në letrën e drejtoreshës së ENQA, drejtuar drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim”, ka shkruar Nagavci në “Facebook”.
Ajo ka thënë se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi.
“Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë”, ka thënë Nagavci.
Ndryshe, Kosova ishte përjashtuar nga ENQA pas shkarkimit të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në vitin 2017./21Media

Back to top button