Kosova që dy javë në pritje të rezultateve nga Gjermania

Ka dy javë që Kosova ka dërguar 72 mostra për testim të variantit Omicron në Gjermani. Rezultatet e këtyre mostrave ende nuk kanë arritur në Kosovë dhe nuk dihet ndonjë datë e saktë për ta kuptuar se a është i pranishëm Omicron në Kosovë. Kështu bëri të ditur për portalin rtv21.tv zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Era Pireva.
“Janë dërguar 72 mostra pozitive për detektim te variantit Omicron, por ende nuk kemi marrë pergjigje në lidhje me rezultatet“, tha Pireva.
Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ditë më parë ka thënë se situata me pandeminë në Kosovë është stabile, mirëpo duke shikuar vendet evropiane edhe Kosova rrezikohet nga përhapja “Omicron”.
Varianti i koronavirusit, Omicron për herë të parë është identifikuar në Afrikën e Jugut më 23 nëntor të vitit 2021. Ndërsa më 28 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se e kishte klasifikuar këtë variant si “shqetësues” për shkak të disa mutacioneve dhe mënyrës se si ato mund të kenë ndikim në sjelljen e virusit, si për shembull se sa shpejt mund të shpërndahet apo shkallën e sëmundjes që shkakton.
Përveçse në Afrikën e Jugut, varianti është identifikuar edhe nëpër shumë vende të tjera, për çka shumë shtete si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime në udhëtime./21Media

Back to top button