Kosova shihet si shtet jo konstruktiv në raport me aleatët

Në vazhdën e thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Qeverisë së Kosovës për koordinim të veprimeve të saj kryesisht në veri të vendit, krahas SHBA-së e cila ka paralajmëruar pasoja për Kosovën edhe ambasadorët e vendeve më të fuqishme brenda BE-së, kanë kërkuar koordinim nga Qeveria. Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, tha se kjo duhet të bëhet për hir të shtetit të Kosovës.
“Situata në Kosovë nuk mund të ndahet nga tabloja më e gjerë e sigurisë të kontinentit tonë. Prandaj, ftoj Kosovën që të prioritizojë koordinimin dhe dialogun për hir të shtetit të tyre dhe gjithë kontinentit”, tha Guerot.
Paralajmërimet e zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së se Kosova mund të ketë pasoja, paraqesin shqetësim serioz vlerëson drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti. Sipas tij, Kosova nuk ka kohë të përplaset me aleatët e saj për shkak të kërkesave të tyre të vazhdueshme ndaj Qeverisë për koordinim të veprimeve. Përndryshe, siç tha, Kosova rrezikon të mbetet në fund të agjendave të fuqive të mëdha botërore siç është SHBA-ja, dhe si rezultat i kësaj vendi mund të përballet me izolim dhe kërcënim të sigurisë.
‘’Nga e kaluara kemi parë që nga marrëdhëniet e tensionuara BE-SHBA, Kosova ka pësuar shumë, i tërë Ballkani Perëndimor ka pësuar shumë. Në këtë fazë është herët të themi, por ajo që së paku mund të ketë është prapë përplsasje të agjendave transatlantike në raport me Ballkanin dhe në raport me Kosovën. Nëse ndodh kjo në një situatë që jemi nën masa dhe të një trysnie dhe në një marrëdhënie të tensionuar me SHBA-në dhe nën sanksione të BE-së dhe nëse kemi thëllim të këtyre ndarjeve dhe zhvillim paralel të agjendave të dy palëve SHBA-së dhe BE-së në raport me Ballkanin dhe Kosovën kjo do të jetë shumë e rrezikshme. Nuk e dimë se si do të zhvillohet është shumë e vështirë ta shohim në këtë fazë, por do të jetë shumë e rrezikshme. Një izolim dhe një status-quo të rëndë dhe kërcënim të sigurisë për Kosovën, kërcënim të ramjes totale të mbështetjes ndërkombëtare”, tha Rashiti për rtv21
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilalli, vlerëson se reagimet e SHBA-së dhe deklaratat e ambasadorëve të vendeve të QUINT-tit të cilët kërkojnë koordinim nga ana e Qeverisë për veprimet e saj janë sinjale se përveç aspektit politik, Kosova rrezikohet edhe në aspektin e sigurisë.
‘’Nga të gjitha ato që mund të prodhoj një marrëveshje e ardhshme mes Trump-Putin dhe mendoj se ndërkombëtarët kërkojnë nga Kosova që të ketë kujdes në këtë ndërrim të kësaj gjeopolitike. Në këtë drejtim duhet të kemi parasysh që edhe të gjitha ato deklarata që kanë të bëjë me proceset të cilat ndodhin brenda Kosovës, sidomos aksionet në veri dhe duket që është bërë një rutinë që kur ka këso aksionesh të kërkohet koordinim”.
Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, sjellë në fokus zhvillimet aktuale midis SHBA-së dhe Rusisë të cilat janë në negociata për një marrëveshje për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë ku mund të përfshihet edhe lëvizja e kufijve midis dy shteteve. Sipas tij, nëse një marrëveshje e tillë realizohet, një fat i tillë mund ta pres edhe Kosovën.
‘’Nëse kemi një marrëveshje të tillë e cila parasheh koncesione të tmerrshme për Ukrainën tani më do të jetë një fakt i zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare. Nëse kjo është e mundur të ndodh me Ukrainën, atëherë rreziku për Ballkanin Perëndimor rritet shumë”.
Nisur nga shqetësimet për sanksione të reja ndaj Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të veprimeve të Qeverisë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilalli, pret nga Qeveria e re e Kosovës të ketë me prioritet përmirësimin e raporteve me aleatët.
‘’Besoj se Qeveria e ardhshme duhet të jetë shumë e matur në aspektin e politikës së jashtme dhe në atë që nevojitet një ridefinim që ka të bëjë me gjeopolitikën botërore”.
Reagimet faktorit ndërkombëtar erdhën pas një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit për mbylljen e Qendrave serbe për Punë Sociale, në të cilat dyshohet se kanë funksionuar strukturat paralele serbe./RTV21/21Media