Kosova U17 shënon fitore bindëse ndaj Shqipërisë

Kombëtarja e Kosovës U17 (vajzat) e ka mbyllur me fitore rrethin kualifikues në Grupin 3 të Ligës B për kualifikimet e Kampionatit Evropian U-17, që u zhvillua në Shqipëri.
Në ndeshjen e tretë dhe të fundit të këtij grupi, Dardanet e reja fituan ndaj Shqipërisë, në stadiumin “Elbasan Arena”, me rezultat bindës 6:0. Kosova e dominoi plotësisht lojën dhe qysh në minutën e 6-të kaloi në epërsi, me golin e Elona Pacit. Epërsinë në 2:0 e shtoi Alba Shabani, në minutën e 10-të, teksa pak para pushimit e njëjta futbolliste realizoi për 3:0.
Loja e mirë e të përzgjedhurave të Sanije Krasniqit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, kur fillimisht shënoi Rita Feka, derisa në minutën e 54-t shifrat në 5:0 i çoi Elona Paci, me golin e saj të dytë. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vendosi Ndoci, me autogolin e shënuar në minutën e 75-të.
Në ndeshjen tjetër, Maqedonia e Veriut shënoi fitore ndaj Moldavisë, me rezultat 2:0, duke e siguruar pozitën e parë në grup, me 9 pikë, derisa Kosova u rendit e dyta me 6 pikë, Shqipëria e treta me 3 pikë dhe Moldavia e fundit pa pikë. Kosova fitoi në ndeshjen e parë ndaj Moldavisë (9:0), por më pas në ndeshjen e dytë u mposht nga Maqedonia e Veriut (2:1).
Tani Maqedonia e Veriut i vazhdon garat në raundit e dytë kualifikues në Ligën A, derisa Kosova mbetet të presë bilancin e të gjitha grupeve dhe në rast se nuk ka skuadër me bilanc më të mirë nga grupet e tjera nga vendi i dytë, atëherë kalon në Ligën A. Në të kundërton do t’i vazhdojë kualifikimet në raundin e dytë në Ligën B, që zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm./21Media

Back to top button