Kosovari në ISIS, përdori edhe fëmijën 3 vjeç, ngritet aktakuzë

Aktakuzë për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist si dhe keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër V.Q., për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, si dhe “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës” nga neni 250 paragrafi 4 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri V.Q., më 28.06.2014, së bashku me tani të ndjerin A.U., nga komuna e Ferizajt, me paramendim, me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Maqedonisë, dhe pasi që kanë marrë udhëzimet për mënyrën e rrugëtimit nga I.A. kanë udhëtuar përmes rrugëve ilegale nëpër Bullgari e Turqi, ku më pas kanë arritur në Siri dhe në pjesën kufitare janë pritë nga pjesëtarët e ISIS-it.

“Pas identifikimit dhe regjistrimit në formular, si pjesëtarë i kësaj organizate ka vijuar trajnim përkatës ku edhe më pastaj ka punuar si infermier në spitalet ushtarake të ISIS-it, dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë i pajisur me uniformë ushtarake, pushkë automatike si dhe me jelek me eksploziv (hizam) duke propaganduar përmes fotografive dhe incizimeve organizatën terroriste ISIS, e që edhe më 29.12.2017, është arrestuar nga forcat demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 19.04.2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime V.Q. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.

“Po ashtu, më 08.09.2017, në zonat e konfliktit në Siri, në shtëpinë ku përkohësisht ka banuar, si pjesëtarë i organizatës terroriste ISIS, ka detyruar fëmijën e tij U.Q. i moshës rreth 3 vjeçar që të përfshihet në aktivitet ku rrezikohet apo dëmtohet zhvillimi i fëmijës, në atë mënyrë që ia vë hizamin – jelekun me eksploziv duke i dhënë edhe pushkën automatike në dorë duke i thënë: “merre kallashin dhe gjuaj bam, bam”, e që të gjitha këto veprime i ka incizuar me video kamerë. I pandehuri V.Q. me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës” nga neni 250 paragrafi 4 të KPRK-së.”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button