“Kosovën do ta lajm me gjak”, dënohet i akuzuari dhe i ndalohet hyrja në Kosovë për 5 vjet

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka informuar se i akuzuari R.J. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim prej 6 muajsh për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit”. Të akuzuarit R.J. gjykata i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, ku urdhërohet dëbimi i të pandehurit R.J. nga territori i Kosovës në kohëzgjatje prej 5 vitesh.
Sipas njoftimit, kohëzgjatja e dëbimit llogaritet nga dita kur ky akgjykimi merr formën e prerë.
Sipas gjykatës, duke filluar nga data e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, konform nenit 79 të KPRK-së, koha e kaluar në paraburgim i llogaritet në kohëzgjatjen e dënimit me burg, me pëlqimin e të pandehurit, gjykata i ka zëvendësuar dënimin me burgim me dënim me gjobë, ashtu që për pjesën e mbetur të dënimit të paguajë shumën prej 6700 € gjobë.
“I akuzuari, R.J. me datë 28.06.2021 rreth orës 14:00, në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, në vendin tek monumenti i “Gazimestanit”, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim në mes të grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që gjatë manifestimit të përvjetorit të njohur si “Vindov Dan”, publikisht dhe në prezencën e numrit të konsiderueshëm të qytetarëve, ka brohoritur fjalët “vrite shqiptarin”, “Kosovën do ta lajm me gjak”, “Kosova është Serbi”, ndërsa para gazetarëve dhe medieve të pranishme ka deklaruar “ … kur kthehem djathtas, ku shoh shqipëtarët, atyre do tu vie ngusht, për neve do jetë më mire … me çka ka përhapur publikisht urrejtje duke rrezikuar prishjen e rendit publik dhe me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale, Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit nga neni 141 par.1 të KPRK-së.”, ka bërë të ditur gjykata.
Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes gjykatës Themelore në Prishtinë./21Media

Back to top button