KOSTT pret seancën e së enjtes për 11 milionëshin

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet të enjten në seancë të rregullt plenare. Si pikë, do të jetë edhe shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, në lidhje me kërkesën e KOSTT-it për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Zyrtarë të KOSTT-it sqarojnë se rekomandimi i Komisionit për Ekonomi që i hap rrugë ndarjes së 11 milionë eurove përmes KOSTT-it për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore të Mitrovicës, bëhet i plotfuqishëm vetëm pas shqyrtimit dhe miratimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. KOSTT po ashtu tregoi nëse këto 11 milionë euro do të jenë për borxhin ndaj KEDS-sit dhe operatorit Elektro Sever.

Veprimi i mundshëm që lejon ndarjen e mjeteve nga KOSTT-i, po cilësohet nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) si diskriminues, i padrejtë dhe i papranueshëm. Ndërsa, në institucionin e Avokatit të Popullit nuk e kanë komentuar rekomandimin e pagesës për rrymën në veri.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje po kundërshtohet edhe nga kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, i cili thotë se po rrezikohet financiarisht KOSTT-i.

Zana Bajrami-Rama, menaxhere për Komunikim dhe Relacione me Publikun në KOSTT, thotë se sipas procedurave të parapara me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, rekomandimi i Komisionit Parlamentar paraqitet për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Sipas zëdhënëses, Bajrami-Rama, KOSTT është kompani publike me 100% të aksioneve shtetërore dhe sipas Ligjit për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në KOSTT po ashtu kanë thënë se me ndarjen e 11 milionë eurove për mbulimin e shpenzimeve të energjisë në veri, nuk rrezikohet financiarisht KOSTT-i, por edhe ritheksuan se zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të vendit, e cila e zgjidh problemin e furnizimit dhe arkëtimit në një afat të shkurtër, është e domosdoshme.

Në KOSTT po ashtu kanë sqaruar nëse këto mjete prej 11 milionë eurosh do të ndahen për borxhin ndaj KEDS-sit dhe operatorit Elektro Sever.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për konsumatorët e papërgjegjshëm.

Shala thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta ndërpres këtë praktikë, siç thekson ai të mbrapshtë të zbatimit të standardeve të dyfishta për qytetarë të të njëjtit vend. Teksa shton se nuk do të duhej të trajtojë qytetarët sipas përkatësisë etnike apo oportunitetit politik.

Ai po dyshon se për këtë ka ndonjë marrëveshje politike që Qeveria e Kosovës është e detyruar t’ua paguaj këto fatura. Si do që të jetë, Shala thotë se kjo qeveri duhet ta ndalë këtë praktikë, pasi nuk është e drejt në baza etnike për 20 vjet të vazhdon kjo dukuri pafundësisht.

Rekomandimi i propozuar nga deputetja e VV-së, Mimoza Kusari Lila dhe i mbështetur nga deputeti Armend Muja që i hap rrugë mbulimit të shpenzimeve të energjisë elektrike në veri, ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi nga radhët e PDK-së, Ferat Shala po kërkon nga KOSTT-i që mos ta zbatojë këtë rekomandim, pasi sipas tij, kjo bie ndesh me ligjet në fuqi dhe mendimin e Avokatit të Popullit.

Deputeti Shala ngre dyshimet se me këtë veprim drejtues të KOSTT-it kanë rënë nën ndikimin dhe presionin e qeverisë, sepse sipas të cilit, KOSTT-i në këtë rast është viktimë.

Komisioni parlamentar, të mërkurën me rekomandim të ideuar dhe mbështetur nga deputetë e VV-së të mërkurën ka votuar pro ndarjes së 11 milionë euro prej KOSTT-it për pagesën e rrymës të shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore. Kundër kësaj ishin deputetët e opozitës./kp

 

Back to top button