KPM: Të ndriçohet rasti i zyrtarit të dyshuar për marrje ryshfeti

 
Është arrestuar të martën drejtori i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) me dyshimin e marrjes së ryshfetit në vlerë prej 8 mijë euro me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor.
Pas arrestimit KPM ka ftuar institucionet që të merren me rastin deri në ndriçimin e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinionin publik por edhe brenda këtij institucioni.
“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), sot është njoftuar jozyrtarisht se një zyrtar publik i Zyrës Ekzekutive të KPM-së është ndaluar mbrëmë nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, nën dyshimin për veprën penale – marrje ryshfeti. Duke qenë të shqetësuar me këtë lajm, ftojmë institucionet e drejtësisë që të merren me rastin deri në ndriçimin e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinioni publik, por edhe ne brenda KPM-së. KPM shprehë gatishmërinë që të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë në mënyrë që të ndihmojë në zhvillimin e hetimeve deri në përfundim të rastit”, thuhet në komunikatën për media nga KPM.
Ndërkohë që për arrestimin e A.B ka njoftuar mëngjesin e së mërkurës Prokuroria Themelore e Prishtinës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim me Policinë e Kosovës, më 29.06.2021, ka ndaluar personin me inicialet A.B., Drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas dyshimeve fillestare, personi i lartcekur dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8.000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Back to top button