KQZ ia dërgon Policisë planin operacional për të garantuar siguri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës ku mori disa vendime në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 18 dhjetorit për kryetar të katër komunave dhe të zgjedhjeve të parakohshme të 25 dhjetorit për dy kuvendet komunale.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media në këtë mbledhje u njoftua lidhur me ecurinë e përgatitjes së procesit zgjedhor në këto komuna.
KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit operacional të KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut si dhe për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq dhe Zveçan.
Në këtë mbledhje u bë e ditur se plani operacional i KQZ-së për sigurinë e zgjedhjeve; lista e qendrave të votimit dhe plani i veprimit, do t’i dërgohen Policisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së masave të sigurisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve
Gjithashtu u bë e ditur se anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, që përbëhen nga përfaqësues të partive politike, kanë deklaruar se nuk do të mundet të kryejnë detyrën e tyre për shkak të rrethanave që ndërlidhen me aspekte të sigurisë. Antëarët e KQZ-së kërkuan që të shikohet mundësia e zëvendësimit të tyre.
Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor 2022. Kjo listë votuese përmban 44 mijë e 939 emra të votuesve apo 1,189 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale 2021. Votuesit janë të shpërndarë në 44 qendra të votimit megjithsej 74 vendvotime.
•Bazuar në listën përfundimtare të votuesve, numri i votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit në këto katër komuna është 44,939, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 40,900 fletëvotime, pra 4,039 apo 9.87% fletëvotime më pak se votues. KQZ-ja caktoi edhe numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit. Sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje do të shtypen 18,500 fletëvotime, pra 1,771 apo 9.5% fletëvotime më pak se votues. Kjo praktikë e shtypjes më pak fletëvotime se numri i votuesve është ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.
KQZ-ja miratoi përbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për dy proceset zgjedhore, të 18 dhe 25 dhjetorit 2022. (Bashkangjitur gjeni modelet e fletëvotimeve të miratuara).
KQZ-ja mori vendim për miratimin e listës së qendrave të votimit për zhvillimin e procesit zgjedhor. Për zgjedhjet e datës 18 dhjetor, KQZ-ja miratoi listën me 44 qendra të votimit, ndërsa për zgjedhjet e datës 25 dhjetor, u miratua lista me 25 qendra të votimit../21Media

Back to top button