KQZ-ja kërkon huazimin e 50 kamerave nga Shqipëria

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës i është drejtuar me një kërkesë të veçantë KQZ-së së Shqipërisë për huazimin e 50 kamerave regjistruese, të cilat janë përdorur në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 25 prill.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Kp se kanë marrë përgjigje pozitive dhe marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve pritet të nënshkruhet së shpejti në Tiranë.
Kamerat regjistruese janë të planifikuar të përdoren vetëm në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pra jo edhe në qendra të votimit në ditën e votimit.
“Duke u nisur nga bashkëpunimi i mirë i dy institucioneve tona që kanë mes vete, KQZ e Kosovës ka kërkuar nga KQZ e Shqipërisë huazimin e 50 kamerave regjistruese të cilat janë përdorur në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 25 prill. Qëllimi i këtij huazimi është përdorimi i tyre në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ku bëhet grumbullimi i të gjithë materialit zgjedhor pas ditës së zgjedhjeve si dhe është vendi ku bëhet përpilimi i rezultateve përfundimtare”, ka thënë Elezi.
Sipas KQZ-së, përdorimi i këtyre kamerave do të ndihmonte ata në rritjen e integritetit të procesit zgjedhor, pasi në këtë qendër zhvillohen disa procese të rëndësishme pas ditës së zgjedhjeve, siç është numërimi i votave me kusht dhe votave me postë si dhe bëhet rinumërimi eventual i ndonjë vendvotimi.
“Përdorimi i këtyre kamerave regjistruese do të ndihmonte KQZ-në në rritjen e integritetit të procesit zgjedhor sidomos gjatë procesit të numërimit dhe rinumërimit eventual të ndonjë vendvotimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve gjatë procesit të zgjedhjeve lokale. Në këtë qendër siç dihet pas ditës së zgjedhjeve grumbullohet i gjithë materiali zgjedhor nga e gjithë Republika e Kosovës dhe natyrisht aty bëhet edhe numërimi i votave me kusht dhe votave me postë si dhe rinumërimi eventual i ndonjë vendvotimi”, ka deklaruar Elezi.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor dhe pritet të zgjedhën kryetarët e 38 komunave të Kosovës dhe anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale.

Back to top button