KQZ nuk e certifikon Listën Serbe për zgjedhjet lokale

(Lajm i përditësuar)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar sot Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kundër certifikimit të kësaj partie politike votuan anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq abstenuan anëtarët e KQZ-së nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ndërsa pro votoi kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja nga Lista Serbe.
Valmira Selmani nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se Lista Serbe ka garuar për kryetar komune në 11 komuna, ndërsa për kuvende komunale në 19 komuna, me gjithsej 238 kandidatë.
“Lista Serbe ka garuar për kryetar në 11 komuna për kuvende komunale, 19 komuna gjithsej me 238 kandidatë. Nuk ka ndonjë kandidat që është i përfshirë në ndonjë listë nga institucionet përkatësisht Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha ajo.
Këtë votim e ka kundërshtuar anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi, i cili tha se Lista Serbe ka trashëgimi terroriste duke marrë pjesë në sulme terroriste dhe se anëtarët e kësaj liste kanë pozita të tjera në shtetin e Serbisë. Kurteshi ka treguare edhe disa dokumente për anëtarët e Listës Serbe.
“Ka trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Ka elemente të tjera persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme edhe terroriste dhe të ndryshme, tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale, kemi persona jo vetëm një shume që në të vërtetë punojnë kundër Republikës së Kosovës. Ata mbajnë pozicione në organet e ashtuquajture të përkohshme të Serbisë paralele dhe njëkohësisht mbajnë pozicione cilado qofshin në organet e Republikës së Kosovës. Kam mbledhur dokumente që t’i shihni. Unë jam kundër certifikimit të subjektit politik Lista Serbe derisa nuk shihen të gjithë anëtarët e saj ku kanë pozitë në shtetin e Serbisë”, tha Kurteshi.
Nga radhët e PDK-së Arianit Elshani tha se do të abstenojnë në votimin për certifikimin e Listës Serbe, teksa shtoi se rruga ndaj akuzave mbi këtë parti serb duhet të bëhet përmes institucioneve.
“Si përfaqësues i PDK-së abstenojmë nga votimi për certifikimin e Listës Serbe. Është një temë që përsëritet. Konsiderojmë që rruga duhet të jete institucionale dhe veprimet në raport me Listën Serbe”, tha Elshani.
Ndërsa Alban Krasniqi nga LVV-ja tha se ka 24 kandidatë qoftë për kryetar komune apo kuvende komunale nga Lista Serbe që janë në kërkim nga shteti i Kosovës.
“Ka me dhjetëra kandidatë qoftë për kryetar komune që janë në kërkim nga organet e sigurisë që janë në kërkim nga shteti i Kosovës. Prej katër komunave janë se paku 24 persona jo vetëm me të kaluar kriminale, por që janë edhe në kërkim dhe të strukturave paralele që Serbia ende i mban gjallë në Kosovë përmes lidhjeve të saj. A duhet lejuar ne si KQZ që nëse disa kandidatë që na vijnë nga Lista Serbe do të duhej t’i certifikonin nëse janë pjesë e strukturave e pjesë e organizatave terroriste?”, tha ai.
KQZ në mbledhjen e sotme certifikoi Lëvizjen Vetëvendosje me 906 kandidatë në 33 komuna për kryetar dhe kuvend komunal në 35 komuna, Partinë Demokratike të Kosovës në 32 komuna për kryetar kuvendi dhe kuvende komunale në 35 komuna, por nuk u votua kandidati për kryetar të Deçanit, Korab Mushkolaj, i cili është konsideruar si anëtar i shërbimit të jashtëm nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Po ashtu, KQZ certifikoi Lidhjen Demokratike të Kosovës më 832 kandidatë në 28 komuna për kryetar dhe për kuvende komunale në 32 komuna, si dhe AAK e cila garon në 25 komuna për kryetar dhe 28 kuvende komunale me 616 kandidatë. /kp
Refuzohet certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit
Në mbledhjen e 50 të KQZ-së është refuzuar certifikimi i Listës Serbe dhe kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, ky subjekt politike nuk është certifikuar.
“Dy vota për, dy kundër, 7 abstenime. Refuzohet certifikimi i Listës Serbe dhe kandidatëve të saj”, tha Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
LVV-ja e kundërshton certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale
Anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, e ka kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit.
Duke folur në mbledhjen e KQZ-së, ku pritet të votohet për certifikimin apo jo të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.
Kurteshi e ka kundërshtuar kandidaturën e Sasha Millosheviqit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.
“Ky luan rol dyfish”, tha Kurteshi. “Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës”.
Ai ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.
Zyra e Partive Politike në KQZ – e cila ka për obligim të shqyrtojë aplikimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – ka rekomanduar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ndërkohë, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, tha se ai do të abstenojë nga votimi.
Në prag të mbledhjes së KQZ-së, ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.
Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.
“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.
Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.
Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend. /rel
Pratipatti – Kurtit: Partitë serbe të marrin pjesë në zgjedhjet e 12 tetorit
E ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati në takimin e saj të sotëm me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e saj për tendencat që sipas saj janë shfaqur me qëllimin që partive serbe t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një deklaratë pas takimit, Pratipatti tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që serbët lokalë të përfshihen në procesin zgjedhor.
Prattipati tha se është e shqetësuar për çdo përpjekje që do të kufizonte zgjedhjen e tyre në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Unë ngrita shqetësimet tona me kryeministrin në detyrë mbi veprimet që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Vetëvendosja po shqyrtojnë për të përjashtuar disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale. Për të qenë të qartë, ne besojmë se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe që ne jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që do të kufizonte zgjedhjen e tyre. Këto pika i theksova sot me kryeministrin në detyrë dhe nënvizova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj çështjeje”, tha Prattipati. /kp
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?