Krasniqi: Ditën që dëgjojmë fjalën “sanksion” nga SHBA, do të jetë ditë ogurzezë për Kosovën

(Lajm i përditësuar)


Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi sonte në emisionin debatues “CLICK” në RTV21 tregoi përshtypjet e tij pas takimit që pati me emisarin amerikan, Gabriel Escobar dhe se a po hynë Kosova në një fazë të re të “sanksioneve”.

Krasniqi tha se në ditën që do ta dëgjojmë fjalën “sanksion” nga SHBA-ja, do të jetë ditë ogurzezë për Kosovën.

“Ditën që do ta dëgjojmë zyrtarisht fjalën “sanksion nga SHBA do të jetë ditë ogurzezë për Kosovën dhe jo vetëm për Albin Kurtin. Por penalizimet dhe ndëshkimet tani më kanë filluar dhe janë bërë publike. Nuk ka pasur kurrë ndonjëherë më të rëndë sesa përjashtimi i Ushtrisë së Ksoovës nga stërvitja më e madhe ushtarake në ballkan e cila udhëhiqet nga SHBA”, tha ai.

Ai tutje tha se ka informacione edhe për nivelin e anulimit të vizitave dhe sipas tij është shqetësuese.

Krasniqi tha se është i sigurt se vetëm kryeministri Kurti i di detajet dhe paralajmërimet.


Krasniqi: Deklarimet e Escobar dhe Lajçak janë konfirmim për degradimin e relacionit tonë me SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se deklarimet e sotme të Miroslav Lajçak, emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Gabriel Escobar, i dërguar amerikan për Ballkanin, janë konfirmim për degradimin e relacionit tonë me SHBA.

Krasniqi në emisionin “Click” të RTV21 ka thënë se kostoja e shkatërrimit të relacionit tonë me partnerët tanë strategjikë është jashtëzakonisht e madhe dhe nuk ia vlen.

“Secili qytetarë i Kosovës sot duhet të ia shtroj një pyetje vetvetes se çka ia vlen koston e humbjes së mbështetjes amerikane për Kosovën. Nuk ia vlen asnjë veprim pavarësisht a është aq i drejt dhe legal si kërkesa për t’i dërguar katër kryetar në katër ndërtesa të braktisura nga zyrtarët sepse përkundër që është veprim legal, i drejt dhe legjitim, kostoja e shkatërrimit të relacionit tonë me partnerët strategjikë është jashtëzakonisht më e madhe dhe nuk ia vlen“, ka thënë Krasniqi.

Vizita e dy zyrtarëve të lartë në Prishtinë dhe Beograd u realizua pas rritjes së tensioneve dhe protestave të serbëve lokalë, që ende po vazhdojnë në veri të Kosovës.

Emisarët kanë kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të qetësojë situatën në veri, të mbajë zgjedhje të reja dhe t’i rikthehet dialogut me Serbinë.

Para se të vizitonte Beogradin, Escobar u tha gazetarëve në Prishtinë se raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe nuk do të ndryshojnë, por “disa ka disa sfida në raportet dypalëshe me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurti]”.

Sipas tij, rruga përpara që do të çonte në uljen e menjëhershme të tensioneve do të ishte që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të mos punonin nga ndërtesat komunale, të organizoheshin zgjedhjet e reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia kanë arritur më herët gjatë këtij viti.

Back to top button