Zeqiri pas shkarkimit: Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë

Sindikata e Policisë sot ka mbajtur mbledhjen me të vetmën pikë të rendit të ditës – votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së Imer Zeqiri.

Përmes një postimi në Facebook ka reaguar Zeqiri, i cili ka treguar se nuk ka qenë i njoftuar për këtë mbledhje dhe lajmin për shkarkimin e tij e ka kuptuar nga mediat.

”E lexova komunikatën e lëshuar dhe është e habitshme se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin tim. Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike?
Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi. Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?! Në një proces të rregullt me prezencën time, do ta pranoja çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, jo kështu pas shpine. Takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme. Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj. Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim. I falënderoj anëtarët e sindikatës dhe pjesëtarët e policisë për shumë mesazhe e thirrje përkrahëse që më kanë bërë këto ditë”, ka shkruar Zeqiri./21Media

Back to top button