​Krasniqi: Masakra në Mejë tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë

Gjenocidi i orkestruar i shtetit serb në Kosovë shfaqet në mënyrën e tij më barbare në Mejë të Gjakovës më 27 prill 1999, duke lënë 376 shqiptarë të masakruar.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi në 25-vjetorin e masakrës, ka thënë se Meja është e vërteta e Serbisë dhe e vërteta e luftës së Kosovës.

“Pleq, burra e fëmijë të vrarë në gjakftohtësi dhe me paramendim. Të gjithë civilë e të pafajshëm. 36 djem ishin nën moshën 18 vjeç. Trupat e 13 viktimave ende nuk janë gjetur. Dhjetëra oficerë të lartë serbë ishin të përfshirë, direkt ose indirekt, apo ishin në dijeni për këtë masakër. Të gjithë ata janë të lirë dhe nuk kanë dhënë asnjëherë llogari për krimet e kryera në Mejë dhe vende tjera të Kosovës.

Meja flet për viktimën dhe agresorin – më fuqishëm dhe më drejtë se cilado gjykatë. Kosova nuk do të harrojë asnjëherë. Lavdi e përjetshme martirëve të atdheut tonë”, ka shkruar Krasniqi.

Back to top button