Krasniqi priti delegacionin e boksit, pas suksesit në Kampionatin Evropian të të Rinjve

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi priti sot delegacionin e boksit pas suksesit të arritur në Kampionatin Evropian të të Rinjve (U-18), të mbajtur në Sofia të Bullgarisë, me ç’rast boksierët Taulant Jakupi dhe Donat Syla, fituan medaljet e bronzta.
Të pranishëm në takim ishin edhe kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës (FBoxK), Enver Krasniqi, trajneri Faton Xhakli, dhe gjyqtari, Latif Demolli, i cili ndau drejtësinë në Evropian.
Krasniqi, siç informoi KOK, përgëzoi boksierët për suksesin e arritur dhe u shpreh se medaljet e fituara do t’ua hapin rrugën drejt sukseseve të reja në arenën ndërkombëtare.
Në emër të federatës, Enver Krasniqi falënderoi presidentin e KOK-ut për pritjen, derisa theksoi se si federatë do të punojnë bashkë me trajnerët për të arritur sa më shumë suksese në garat jashtë vendit.
Trajneri Xhakli dhe boksierët folën për luftërat që kishin në Evropian, derisa u shprehën optimist për rezultate të reja.
Jakupi fitoi medaljen në një konkurrencë prej 11 boksierëve në kategorinë 86 kg, ndërsa Syla në konkurrencë prej 12 boksierëve në kategorinë 92 kilogramë. Të dy shënuan nga një fitore./21Media

Back to top button