Krasniqi: Shoqëria jonë është krenare me shumë vajza dhe gra të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se shoqëria jonë është krenare me shumë prej vajzave dhe grave të Kosovës, të cilat janë përfaqësimi më i mirë i shtetit dhe popullit tonë në botë, në fusha dhe lëmi të ndryshme.
Por kjo sipas tij, është vetëm njëra anë e realitetit, përderisa në përditshmëri shumë vajza dhe gra në Kosovë vazhdojnë të jenë subjekt i diskriminimit, dhunës në familje dhe në pamundësi për qasje të barabartë në punë, arsim e zhvillim ekonomik.
“Prandaj, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, krahas festës, duhet zotuar dhe reflektuar thellësisht mbi padrejtësitë ndaj vajzave dhe grave, që paralelisht me njohjen e përpjekjeve të tyre të pa ndalura për më shumë barazi e të drejta, të bashkohemi me to në këtë përpjekje. Autonomia dhe të drejtat e barabarta të grave e vajzave nuk kanë alternativë. Natyrisht, në këtë ditë, kujtojmë dhe nderojmë të gjitha nënat, motrat, gratë e vajzat kosovare të cilat mishërojnë sakrificën, përkushtimin e angazhimin jetik për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Tutje, ai ka theksuar se PDK-ja është krenare që sikur asnjëherë më parë ka numrin më të madh të përfaqësueseve gra në pozita udhëheqëse nëpër komunat e Kosovës.
“Pa dyshim, përpjekjet dhe rruga për një shtet i cili fuqizon edhe më tej gratë, nuk kanë mbaruar. Së bashku do të luftojmë çdo ditë, që Kosova të bëhet vend që mundëson fuqizimin politik, ekonomik dhe social të grave, që ato të marrin vendin e merituar në shoqëri. Gëzuar 8 Marsi, të gjitha grave dhe vajzave të Kosovës!”, ka shkruar tutje Krasniqi./21Media

Back to top button