Krasniqi: U bë 1 javë që i kam dërguar letër, Kurti po ikë nga përgjegjësitë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij po ikin nga përgjegjësitë që kanë karshi nevojave të qytetarëve në këtë periudhë tragjike të shkaktuar nga keqmenaxhimi i pandemisë.
Lideri i opozitës ka thënë se mos përgjigja e Kurti ndaj letrës së dërguar 1 javë më parë ku i ka shprehur nevojën e bashkimit të spektrit politik për luftën ndaj pandemisë, tregon se kryeministri po ikë nga përgjegjësia, nga qytetarët dhe nga pacientët.
Në një postim në Facebook Krasniqi ka thënë se që nga dita kur ia ka dërguar letrën kryeministrit, bilanci ka qenë tragjik për 207 familje që kanë humbur të dashurit e tyre, ndërsa janë evidentuar 9.914 raste të reja me Covid-19, nga numri total aktual prej 24.484 rastesh aktive në nivel vendi.
“Por, ky dezertim nga përgjegjësia po u kushton qytetarëve të Republikës së Kosovës, për çfarë ne nuk mund të rrimë indiferentë. Një Kryeministër i përgjegjshëm do të duhej ta linte anash disponimin e keq elektoral me të cilin përballet, e të fokusohej në përgjegjësitë qeverisëse, sepse qytetarët kanë nevojë sot më shumë se kurrë që të mbështeten në institucionet e tyre”, ka shkruar ndër tjera Krasniqi në Facebook.

Në fund Krasniqi ka thënë se beson që duhet të bëhen bashkë përtej pushtetit, përballë këtij rreziku që po merr dhjetëra jetë njerëzish “për çdo ditë. Tash dhe menjëherë”.


Një javë më parë, i pari i PDK-së i ka shkruar letër kryeministrit Albin Kurti, ku ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën me COVID-19 në vendin tonë./21Media

Back to top button