Krijimi i mjedisit gjithëpërfshirës për fëmijët me nevoja të veçanta

Rritja dhe zhvillimi i fëmijëve me nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuara apo vetëm me vështirësi në gjuhë dhe të folur kërkon kohë, mund, dashuri, përkushtim, e sakrificë të të dy prindërve, por edhe familjarëve dhe rrethit ku jeton fëmija në përgjithësi.
“Fëmijët me nevoja të veçanta kanë nevojë për përkujdesje të veçantë e specifike që dallon prëj fëmijëve me zhvillim në normë. Pa marrë parasysh vështirësitë apo çrregullimet që fëmija mund të posedojë prindërit janë ata që duhet të besojnë në aftësitë e tyre, ata duhet të ngrisin dhe të vlerësojnë më shumë përpjekjen e tyre sado e vogël që është e jo të vënë në pah mangësitë që ata mund të kenë”, tha logopedia Kaltrina Hashani për portalin rtv21.tv
Sipas logopedes, është e rëndësishme që fëmijët me nevoja të veçanta apo vetëm me vështirësi në komunikim mos të mbivlerësohen nga ana e prindërve përkundër fëmijëve tjerë nëse kanë, por t’i edukojnë dhe mësojnë ata që duhet të sillen njëlloj sikurse me fëmijët e tjerë.
Si të mundësohet socializimi i fëmijëve me nevoja të veçanta?
“Ata asnjëherë nuk duhet ti mbyllin dhe mos ti socializojnë fëmijët e tyre me vështirësi, por të luftojnë për gjithëpërfshirjen dhe pranimin e tyre në të gjitha sferat e jetës. Krijimi i rregullave brenda ambientit shtëpiak dhe respektimi i tyre nga ana e fëmijëve është shumë e rëndësishme për zhvillim e përmirësim të aspektit social e të komunikimit, mirëpo jo ndëshkime të panevojshme”, tha më tutje Hashani.
Hashani tha se mungesa e përkujdesit prindëror te fëmijët me nevoja të veçanta frenon strukturën adekuate gjuhësore.
“Sa i përket gjuhës dhe komunikimit, ne e dimë që shumicën e rasteve prindërit janë ata që e përcjellin zhvillimin e fëmijës së tyre dhe kanë impakt në secilën fushë. Mungesa e stimulimit nga ana e tyre e frenon strukturën adekuate gjuhësore. Sepse prindërit sidomos nëna është ajo që duhet të flas vazhdimisht me fëmijën, të merr pjesë në lojëra që ai i zhvillon dhe të tregojë interes për botën e tij\saj”, shtoi Hashani.
Siç tha logopedia për portalin rtv21.tv ka raste kur prindërit bazohen tek zhvillimi i fëmijëve paraprak dhe kjo mund të çoj në rezultate negative në procesin e zhvillimit të fëmijës me nevoja të veçanta.
“Në disa raste prindërit bazohen tek zhvillimi i fëmijëve paraprak të tyre dhe presin të bëhet vonë për trajtim, mirëpo secili fëmijë ka zhvillim unik dhe nuk duhet krahasuar. Toleranca e fëmijëve për qëndrimin e tepërt gjatë ditës përpara mjeteve elektronike si: tv, telefon, kompjuter etj, është një veti shqetësuese që afekton zhvillimin e duhur të komunikimit verbal dhe jo verbal. Edhe trajtimi logopedik do të ishte më pak efektiv pa bashkëpunimin me prind. Pra, ata duhet të marrin përgjegjësitë e tyre lidhur me rritjen, socializimin, arsimimin dhe integrimin e gjithëpërfshirjen e fëmijës së tyre. Ata duhet të përpiqen dhe të ndihmojnë në procesin e edukimit, e të marrin pjesë duke dhënë informacionet adekuate dhe të nevojshme në krijimin e planeve individuale arsimore që krijohen për fëmijët me nevoja të veçanta apo me vështirësi në të nxënë brenda institucioneve arsimore”, ka thënë Hashani./21Media

Back to top button