Kriza në Ukrainë: Për çfarë biseduan me telefon, Blinken dhe Lavrov?

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, zhvillojnë bisedë telefonike për krizën në Ukrainën.
Kjo bisedë vjen në kohën e rritjes së shqetësimeve, pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, që po shihet si përgatitje për një pushtim të mundshëm. Këto bisedime janë bisedimet e para direkte të diplomatëve, që prej se Uashingtoni dërgoi përgjigje të shkruar javën e kaluar për kërkesat e sigurisë së Rusisë.
Para bisedimeve, Ambasada e Rusisë në Uashington tha se Moska nuk do të tërhiqet para kërcënimeve amerikane për sanksione.
“Ne nuk do të zmbrapsemi dhe qëndrojmë të vëmendshëm, duke dëgjuar kërcënimet e sanksioneve amerikane”, tha ambasada përmes një postimi në Facebook, duke shtuar se është “Uashingtoni, dhe jo Moska, që po gjeneron tensione”.
Ndryshe edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, po ashtu pritet të udhëtojë për në Kiev për bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
“Si një mike dhe partnere demokratike, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e Ukrainës në dritë të përpjekjeve të atyre që tentojnë ta shkatërrojnë atë”, tha Johnson përmes një deklarate.
Kryeministri britanik po ashtu pritet të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin para se të niset drejt Ukrainës. Në deklaratën e lëshuar ai edhe një herë i bëri thirrje Rusisë të angazhohet në dialog, që të gjendet një zgjidhje diplomatike.
Rusia mohon se po planifikon që ta sulmojë Ukrainën.

Back to top button