Kriza politike po godet xhepat e qytetarëve

Kriza politike goditi edhe në xhepat e qytetarëve në Maqedoni

30% e kompanive të sektorit privat, tanimë vonojnë me pagesën e rrogave mujore. Kjo do të thotë se çdo e treta firmë po ballafaqohet me probleme financiare. Nga Drejtoria e të Hyrave Publike thonë se në muajt e fundit, pagat për të punësuarit nuk i kanë lëshuar në kohë rreth 15 mijë kompani, gjegjësisht këtë e bëjnë pas datës 15 të muajit.

“Për muajin janar të vitit 2017, numri i kompanive që i kanë lëshuar pagat brenda afatit ligjor, pra deri në datën 15 të muajit, ka qenë 40.829. Për muajin shkurt, ai numër është 38.887. Numri i kompanive që nuk i kanë paguar pagat brenda afatit, por ato i kanë paguar pas datës 15 për muajin janar të vitit 2017, paraqet 15.385, ndërsa për muajin shkurt 13.561 kompani”, nga DHP.

Vonesa e pagave është vetëm një nga pasojat e krizës në Maqedoni, për çka ekspertët paralajmëronin një kohë të gjatë. Tani ata frikësohen nga thellimi i efekteve negative. Në debatin e mbrëmshëm në Click Plus të TV21, Fatmir Bytyqi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, deklaroi se pjesa më e madhe e kompanive ballafaqohen me rënie të likuiditetit, ndërsa alarmant është edhe numri i firmave të sektorit real të cilat vonojnë me pagesat. Ai u ankua edhe nga kontrollet e shtuara inspektuese në firmat dhe shtoi se inspektorët kanë urdhër që të dënojnë me çdo kusht, shkruan TV21.TV

Ku ndaluan ciklet investuese të kompanive dhe si të tejkalohet pa pasoja serioze kjo periudhë negative nëpër të cilën kalon ekonomia e vendit? Për këtë e kontaktuam profesorin universitar Marjan Petreskin. Sipas tij, qeveria duhet të orientohet në projekte kapitale, prej të cilave do të kishte dobi edhe ekonomia.

“Kur ulet deficiti buxhetor, gjithnjë goditen investimet kapitale, ndërsa këta janë kyçe kur ndodhemi në situatë në të cilën kemi ngecje të sektorit të biznesit privat dhe vendor. Këtu do të përmendja projekte nga fusha e infrastrukturës, jo vetëm në atë rrugore por edhe në atë hekurudhore. Duhet investime në shëndetësi dhe arsim, pra në kapacitete produktive”, tha Marjan Petreski, profesor universitar.

Përndryshe, Drejtoria e të Hyrave Publike, për çdo ditë që paga vonohet, punëdhënësve u ngarkon kamatë në lartësi prej 0,03%.

Në rast se punëdhënësit, deri në datën 10 të muajit, nuk dorëzojnë llogari të pagës, atëherë nga Drejtoria e të Hyrave Publike u pason dënim prej 2500 eurove.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore për prognozën e rritjes ekonomike, ekonomia e Maqedonisë u gjet në vendin e fundit në rajon, e cila këtë vit është parashikuar të jetë 2.8%./21Media

 

Back to top button