Kryeministri Kurti reagon pasi Memli Krasniqi zgjedhet kryetar i PDK-së

 
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka uruar kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.
Kurti ka thënë se si kryeministër, por edhe si kryetar i LVV-së, do t’i ofrojë kryetarit të ri të PDK-së bashkëpunim në temat me interes nacional.
“I uroj punë të mbarë kryetarit të ri të PDK-së, z. Memli Krasniqi. Mbështetjen që e mori sot nga strukturat e subjektit të tij i garantojnë një udhëheqje stabile për t’i zhvilluar reformat që mendon se janë të nevojshme për PDK-në. Si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes i ofroj bashkëpunim në temat me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve. Të punosh për Kosovën e kombin tonë nuk është kurrë mjaftueshëm dhe e kemi obligim secili”, ka shkruar në Facebook Kurti.
469 delegatë të Konventës së dhjetë zgjedhore të PDK-së e zgjodhën Memli Krasniqin të parin e partisë. Ndërsa shtatë delegatë ishin kundër zgjedhjes se tij për kryetar./21Media

Back to top button