Kryeziu: Kurti-Blinken diskutuan për marrëveshje finale me njohje reciproke

Opinione: Rëndësia e telefonatës së Blinken-it me Kurtin
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i tha RTV21 se Kosova dhe SHBA-të janë në një linjë rreth marrëveshjes përfundimtare me Serbinë e cila, siç tha, duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Kryeziu foli pas një bisedë telefonike që kryeministri Kurti zhvilloi me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken. Ai pranoi se ka iniciativa nga Gjermania dhe Franca për procesin e dialogut, por tha se Qeveria e ka propozuar kornizën e saj për marrëveshjen finale

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, të martën ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me kryeministrin, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga të cilët ka kërkuar të intensifikohet procesi i dialogut i Brukselit midis dy shteteve.
“Telefonatë e mirë sot me kryeministrin e Kosovës, Albin kurtin. Diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përpjekjet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, ka thene Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për televizionin rtv21 duke folur për hollësitë e bisedës së kryeministrit Kurti me sekretarin Blinken tha se rëndësi e madhe iu kushtua raporteve bilaterale midis Kosovës dhe SHBA-së the thellimit të tyre. Por, pa shmangshëm në qendër të bisedës ishte procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si dhe mundësia e arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Sipas Kryeziut, kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria është treguar palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë duke gjetur gjuhë të përbashkët edhe me SHBA-të sa i përket arritjes së marrëveshjes finale e cila duhet ta ketë në qendër nohjen reciproke.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë
Sa i përket propozimeve për marrëveshje përfundimtare së fundmi ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla pranoi se ka propozime nga dy këshilltarët ai i kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit Francës Emanuel Macron. Sot është konfirmuar edhe nga Qeveria Federale e Gjermanisë se ekzistojnë propozime që janë bërë nga Berlini dhe Parisi në kuadër të takimeve të fundit të nivelit të lartë me liderët e Kosovës dhe Serbisë, megjithatë potencojnë se ato mbesin konfidenciale dhe se diskutimet po vazhdojnë. Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, ka hezituar të flas për propozimet, por ka bërë të ditur se Qeveria ka propozuar tashmë në Bruksel kornizën e saj për këtë çështjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
Nderkaq analisti politik, Artan Muhaxhiri, vlerëson se në kuadër të zhvillimeve të fundit sa i përket procesit të dialogut telefonata e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, ka shumë dimensione duke dëshmuar se çështja e dialogut Kosovë Serbi për SHBA-të është e renditur lartë në agjendën e SHBA-së. Por, sipas tij, telefonata është edhe një presion për kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë Vuciq për arritjen e marrëveshjes finale.
Ndërsa, gjatë bisedës telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, sekretari i shtetit, Antony Blinken, ka shtruar domosdoshmërinë e arritjes së shpejtë të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. /21Media

Back to top button