Kuka: Majlinda Kelmendi pika e kthesës në karrierën time

Duke e falenderuar trajnerin dhe selektorin e Kosovës në xhudo, Driton Kuka, për siç tha kontributin e dhënë në afirmimin e Kosovës përmes sportit, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti i ndau çmimin “Doctor Honoris Causa”.
“Figura e tij është pikë referimi dhe shembull për shumë të rinj të cilët kanë pasion sportin për të cilët mund të kenë mëdyshje se ku mund të arrijë përmes sportit një i ri i vendit më të ri në Evropë. Dhe Kuka, së bashku me medalistët që ka përgatitur ka thyer shumë barriera dhe i ka treguat botës se në vendin tonë të Kosovës shihet pasuria më e madhe intelektuale”, tha ai.
Trajneri Kuka u shpreh përulës që me këtë çmim po vlerësohet nga tempulli i dijes, theksoi se në rrugën e tij të sukseseve ka pasur shumë probleme e pengesa por sic tha frytet e punës së tij filluan të vijnë në vitin 2013, kur Majlinda Kelmendi filloi të fitojë medalje.
“Viti 2013 ishte kthesa. Në Kampionatin Evropian erdhi medalja e parë elitare në muajin prill, ndërsa në gusht Majlinda u bë kampione botërore, hera e parë në historinë e sportit tonë. Një garë jashtëzakonisht interesante, një garë në të cilën normalisht kam pritur që Majlinda të kurorëzohet me medalje, por që do të bëhet kampione botërore jo për arsye se në atë kohë në kategorinë e saj ishte një japoneze që dominonte botën dhe në fakt kemi punuar shumë për të pothuajse një vit dhe e kemi gjetur rrugën drejtë fitores”, tha Kuka.
E pranishme ishte edhe xhudistja Majlinda Kelmendi, e cila nën drejtimin e Kukës u shpall medaliste olimpike dhe kampionet e botës në xhudo. U shpreh e kënaqur që puna e trajnerit të saj po vlerësohet.
“Më gëzon shumë fakti që puna e tij po vlerësohet dhe po çmohet shumë, ashtu siç duhet edhe besomëni që ish shumë e vështirë të jesh trajner. Kam menduar që është më lehtë, por tani që kam filluar të punoj si trajnere jashtëzakonisht e vështirë dha po ia di Toni se ka hequr tani e 10 vite. Ka qenë jo vetëm trajner, menaxher, psikolog, është ballafaquar me shumë probleme, duke marrë parasysh vendin në të cilin jetojmë edhe nganjëherë njerëzit jo që nuk të ndihmojnë por edhe të pengojnë kështu që prej Kosovës të fitohen tri medalje të arta olimpike si trajner është jashtëzakonisht e madhe, përveç kësaj është zgjedhur edhe trajneri më i mirë në botë, kështu që çfarë të themi, veprat flasin vetë.”, tha Majlinda Kelemendi.
Se ky çmim ishte meritor e tha edhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani. Ajo tha se, është shumë e rëndësishme për Kosovën sidomos për komunitetin sportiv kur një trajner nderohet nga Universiteti i Prishtinës./21Media

Back to top button