Fejzullahu tha se ZRRE do të ishte dashur që të jetë balancuese me vendimet e saj

Fejzullahu tha se ZRRE do të ishte dashur që të jetë balancuese me vendimet e saj

Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit ka kërkuar që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të tërheq vendimin e datës 20 gusht, për ngarkimin e faturave të konsumatorëve me 1.9 përqind për të mbuluar humbjet e KEDS-it. Ndryshe, paralajmëron se mund ta padisë atë dhe organet tjera relevante.

Kryesuesi i Këshillit, Sherif Fejzullahu, tha se ZRRE po përdorë standarde të dyfishta për mbulimin e humbjeve të KEDS-it, të cilat arrijnë deri në 4.5 milionë euro.

Sipas tij, ZRRE do të ishte dashur që të jetë balancuese me vendimet e saj, qoftë për interesat e bizneseve apo të qytetarëve.

“KEDS dhe Qeveria kanë një kontratë të përbashkët, por nëse ZRRE arsyetohet se KEK-u ka humbje, KEK-u tani për tani është palë e tretë dhe nuk ka të drejtë ZRRE të marrë vendim që humbjet e palës së tretë t’ia faturoj konsumatorit. Ky vendim i marrë më 20 gusht është jashtëzakonisht antiligjor, antimoral i dëmshëm dhe absolutisht nuk gjen arsyeshmëri… Kjo zyrë, këtë vendim duhet ta tërheq”, tha Fejzullahu.

Po ashtu Zejnullahu tha se fakti se në ZRRE janë 3-4 anëtarë që kanë punuar në KEDS, e për këtë duhet pasur edhe më shumë kujdes.

Ai ka kërkuar edhe nga Qeveria e Kosovës dhe kryetarët e komunave, që të mbrojnë qytetarët dhe të drejtat e konsumatorëve. Teksa ka porositur edhe konsumatorët për vigjilencë.

“Kërkoj nga kryetarët e komunave, përmes jush, meqë jemi konsultuar, jemi marrë vesh për hapjen e zyrave që konsumatorët të kenë ku të denoncojnë për shkeljet që iu bëhen, iu kisha lut kryetarë të komunave që në afat sa më të shpejt të hapin këto zyra dhe t’iu mundësohet të denoncojnë çdo të keqe që iu lajmërohet dhe çdo shtesë e paarsyeshme që iu lajmërohet në faturat e tyre”, theksoi ai.

Edhe Selatin Kaçaniku, anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, e ka quajtur indinjues vendimin për mbulimin e humbjeve të KEDS-it.

Ai ka shtuar se qytetari taksapagues nuk ka kurrfarë obligimi që të paguajë nga xhepi i tij për humbjet e ndonjë operatori, kompanie apo institucioni tjetër.

“Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e KEDS-it, që ato t’i faturohen me miliona euro konsumatorit të përgjegjshëm, paguesit të ndershëm, e patriot të mirëfilltë ekonomik, e konsiderojmë joligjor, indinjues, detyrues apo me një gjuhë tjetër zhvatës, të turpshëm, patetik dhe të papranueshëm. Qytetari-konsumator-taksapagues nuk e ka as obligim, as detyrim dhe as përgjegjësi që t’i mbulojë humbjet e KEDS-it, KEK-ut, KOST-it dhe as të Qeverisë”, u shpreh ai.

Sipas këtij të fundit, Prokuroria pas këtij reagimi publik, do të duhej që të reagojë sipas procedurave.

Teksa la të nënkuptohet se në rast se nuk do të mbrohen të drejtat e qytetarëve, mund të padisin institucionet relevante.

“Angazhimi i një avokati kushton dhe organizata nuk ka mjete. Pra edhe këtë potencojeni. Nëse qytetari konsumatorë dëshiron që të ketë mbrojtje të mirëfilltë, atëherë një pjesë të gjarprit nga xhepi le ta heq, sepse ne duhet të bashkohemi edhe në kontekstin e anëtarësimit. Nëse institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk na mbështesin, ne duhet të mbështetemi vet, që të kemi mjete, të paguajmë një avokat dhe ta padisim, për fat të keq shtetin sepse xhepat i kemi plot duar të tyre”, shtoi ai.

Ndryshe, ZRRE ka marrë vendim që qytetarëve të Kosovës t’iu ngarkohen faturat për 1.9 përqind, për të mbuluar humbjet e KEDS-it, të cilat arrijnë vlerën prej më shumë se 4 milionë euro.