Kurti-Bjerde diskutojnë mbi stabilitetin institucional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde, me të cilën bisedoi mbi stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitivë.
I pari i Qeverisë veçoi rritjen e eksporteve dhe potencialin e madh në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe angazhimin e qeverisë për digjitalizim, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Bankës Botërore për Kosovën në shumë fusha.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore thanë se presin që së shpejti të kalojë në Kuvend marrëveshja për reformën sociale, pasi ajo është përgjigja e duhur ndaj krizës inflacionare dhe jo prekja e mjeteve të Trustit pensional.
Duke biseduar për situatën aktuale me energji elektrike, u përmend edhe ndikimin i luftës në Ukrainë.
Kurti bëri të ditur se janë afër lansimit të Strategjisë së energjisë dhe ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për energji të ripërtëritshme.
Ndryshe, përveç Bjerde, në këtë takim morën pjesë edhe drejtoresha rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda van Gelder, drejtoresha e re rajonale për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, dhe menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci./21Media

Back to top button